Nuk bëhet revolucioni me këngë!

Nga Dosti Banushi 

Opozitarizmi në Shqipëri asnjëherë nuk është konceptuar si element thelbësor që ndihmon në balancimin e pushtetit nëpërmjet konkurrencës programore, si element që kontribuon për të përmirësuar qeverisjen nëpërmjet kritikës parlamentare, apo si shtysë për të nxitur reforma thelbësore nëpërmjet iniciativave ligjore. E kundërta ka ndodhur. Opozitat në Shqipëri e kanë formësuar veten nëpërmjet misionit për të sharë, ofenduar e vjell inat në drejtim të pushtetit . Ato janë pozicionuar gjithmonë si kundër-sistem e si anti-establishment edhe pse në zgjedhjet që i kanë konfirmuar si opozitë kanë hyrë pikërisht si pjesë e sistemit apo nëpërmjet një establishmenti të caktuar.

Kështu bën dhe opozita e PD/LSI, e cila me radikalizmin e sjelljeve të saj ‘anti-sistem’ nuk ndryshon në përmbajtje nga opozitat e mëparshme, por thjesht në formë, e si rrjedhojë, nuk përbën ndonjë të re për Shqipërinë.

Prej shumë kohësh kjo opozitë bën thirrje për mosbindje civile, bojkotim të institucioneve dhe protesta revolucionare . Po deri më tani, të vetmit të mos-bindur mbeten deputetet e PD/LSI, të vetmet institucione që janë bojkotuar mbeten bashkitë e Kamzës dhe Vorës e të vetmit që protestojnë janë elektorati i PD/LSI. Tërësia e shoqërisë shqiptare nuk i është përgjigjur thirrjeve të opozitës; mësuesit nuk po e bojkotojnë punën, studentët që bënë namin kundër kësaj qeverie nuk po bëhen pjesë e protestave opozitare, mjekët nuk u bashkohen thirrjeve anti-qeveri. Të zhgënjyerit nga qeverisja nuk po mbështesin opozitarizmin e Z. Basha dhe Znj. Monika.

Opozita dështon të krijojë alternativën e domosdoshme për t’u parë si fundi i këtij tranzicioni të gjatë. Ajo nuk shihet si opsion për të ushtruar pushtetin nesër, por si një vjetërsirë që ka ushtruar pushtetin dje dhe në atë kohë që e ushtroi, la pas 4 të vrarë në 21-Janar dhe 26 të vrarë në Gërdec. Asnjë falje nuk është kërkuar, qoftë me fjalë e qoftë me vepra. Kjo opozitë dështon të kuptojë se mëkatet e shumta që kreu në qeverisje nuk shlyhen me daljen e saj në opozitë. Paaftësia për të reformuar vetveten nuk i sjell besueshmëri në këtë shoqërinë tonë që po vazhdon t’i konsiderojë të gjithë të njëjtët dreqër e që sërish do vazhdojë të votojë për inat të dikujt dhe jo për alternativën e dikujt tjetër.

LEXO DHE :  Video/ Gjinushi ofendon gazetaren: Shko mjekohu se qenke shumë e eksituar

Protesta e sotme, të tjerat para saj e te tjerat që do vijojnë, ngrihen mbi një krizë artificiale e cila pavarësisht se nuk mbështeten nga tërësia e shoqërisë shqiptare, por vetëm nga një elektorat partiak, gjithsesi kërkojnë një revolucion. Mirëpo revolucioni, i cili cënon përditshmërinë e shoqërisë duke e përmbysur atë, ka kosto të madhe, e shndërrohet në kërkesë të drejtë vetëm kur e kërkon shoqëria si e tërë, jo ndonjë ndasi e saj. Se ndasitë e saj elektorale, duke qenë se përfaqësojnë interesa të ndryshëm partiak, vazhdimisht do jenë në po të njëjtin konflikt të krijuar që prej vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Pas 6 vitesh në mazhorancë, sot duhet të shkruanim për kritikat ndaj qeverisjes së PS , por kundër çdo sensi, ama mbi të vërteta, diskutojmë për gabimet e kësaj opozite, e cila na thotë vetëm çfarë s’do bëjë po të jetë në pushtet. Mirëpo të thuash që kur të jesh në pushtet s’do vjedhësh, s’do kriminalizosh e s’do korruptosh, është njësoj si të thuash që kur të dal jashtë, do vesh këpucë. Lul, të lutem bëna të kuptojmë ç’do i japësh kësaj Shqipërie nëse vjen në pushtet, sepse çfarë do i marrësh e kuptojmë vet!

Historia e tregon për të tërë, se edhe pse zgjuarsia taktike mund të fitojë ndonjë betejë, luftën e fitojnë numrat. Që të fitojë opozita, qoftë jashtë sistemit ku është, qoftë brenda, duhet të ketë numrat, po këto vinë me krijimin e alternativës qeverisëse, jo me llafe, pompa nëpër pemët e Tiranës apo me këngë lufte./ Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.