Një sistem i tërë në anën e përdhunuesve!

Nga Denisa Daka

Të detyruar të denoncojnë një krim monstruoz kryer nga një grup vasalësh kundër vajzës së tyre, dy prindër nga një qytet i vogël që të ndëshkon përjetë për të tilla episode, ndihen sot ligsht krejt, teksa turpi e gjëma ka mbuluar sofrën e varfër të tyre, duke klithur për pak ndihmë e dritë, të pafuqishëm përballë një sistemi të tërë.

Stresi post traumatik më i rëndi paskësaj, do t’i kthejë të voglës gjithë çka ndodhi në fobi, ndërsa përkujdesi psikologjik e social ofruar nga strukturat përkatëse, me pak gjasë mund t’i ofrohet në formën e duhur. Në pranga e prapa hekurave, nuk duhet të ishin sot veç ata djem apo gjysmë mostrash që kryen në grup këtë krim makabër kundër një minoreneje, e cila sapo kish nisur të rrugëtonte me ëndrrat e saj udhës së vet. Në pranga e prapa hekurave duhet të ishin sot të gjithë ata që nuk mundën ta parandalojnë këtë krim, të gjithë ata që kishin dijeni dhe nuk e kallëzuan këtë të fundit. Moskallëzimi i krimit në organet e ndjekjes penale, të një krimi që është kryer apo është duke u kryer, përbën vepër penale e dënohet deri në 3 vjet sipas Kodit Penal. E gjitha ç’ka ndodhi ditën me diell, nuk mund të mbarojë këtu, kjo shoqëri po dekompozohet krejt. Shenjat e krimit janë aty si për t’u treguar të gjithëve bashkë se, askush nuk është më i mbrojtur dhe i lirë në këtë vend. Me këtë akt të pashembullt, bashkëpunëtorët në këtë krim së bashku me këtë bandë vasalësh, vranë e përdhosën shpresën e besimin e të gjithë 13-vjeçarëve në këtë vend, vajzës sime gjithashtu, duke legjitimuar shëmtinë e barbarinë.

LEXO DHE :  Kjo është shenja e horoskopit e cila prodhon më shumë miliarderë!

Besa e Arsimit apo udhërrëfyesja e dijes, uroj të zgjohet e të vlerësojë se, duhet sa më parë të shkojë  në konakun e kësaj shtëpie, duke i kërkuar ndjesë kësaj vogëlusheje, prindërve të saj gjithashtu, që dështuan sërish të gjithë bashkë, të parandalojnë një tjetër krim, në emër dhe të gjithë mësuesve të asaj shkolle e jo vetëm, në emër të dhjetëra psikologëve të shkollave kudo ndodhen, të cilët kryejnë prej vitesh rutinisht e pa përgjegjësi punën e tyre, duke qenë  të padukshëm krejt në ato ambiente shkollore.

Drejtori i Policisë, deputetët e asaj zone, të cilët të gjithë bashkë kanë detyrimin ligjor e jo vetëm, të mbrojnë të gjithë vocërrakët e asaj zone, atë vajzë të vogël gjithashtu, duhet t’i bashkohen doemos kësaj ndjese publike sot. E në mos mundshin të bëhen koshientë edhe në këtë rast për dëmin e madh që po i shkaktojnë këtij vendi me veprimet e mosveprimet e tyre, përtej këtij përdhunimi, t’i kërkojmë të gjithë të largohen sa më parë, pasi me këtë format e qasje, kurrsesi ata nuk mund të jenë të gjithë bashkë, udhërrëfyesit apo të zgjedhurit tanë./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.