Një shoqëri pa sondazh, është si shoqëri pa mendim
Dritare.net
Demokracitë e vërteta dhe të konsoliduara kanë zhvilluar një institucion të rëndësishëm dhe të besueshëm sikurse janë SONDAZHET.
Ato mund të konsiderohen edhe një lloj referendumi virtual ku njerëzit votojnë verbalisht për të shprehur mendimin e tyre për çështje ose individë të caktuar me ndikim publik dhe politik. Sikurse çdo gjë tjetër ende primitive në pseudo-demokracinë ose demokracinë tonë hibride edhe sondazhet ose keqrealizohen, ose keqpërdoren në rastin kur nevojiten.
Sondazhet e besueshme do ishin treguesi i vërtetë se çfarë mendojnë njerëzit për aktualitetin dhe janë një indikator i besueshëm përtej mendimit të individëve që kanë krijuar të ashtëquajturin opinion publik në emër të askujt.
Çdo vit janë me miliona eurot dhe dollarët që investohen për Organizatat Jofitimprurëse, por asnjëra prej tyre nuk ka marrë mundimin të hyjë në rrugën e sondimit të opinionit publik në mënyrë të paanshme, reale dhe profesionale për t'u bërë pikë referenciale për analiza, konkluzione por edhe aksione veprimi mbi bazë trendi shoqëror e social.
Ndaj shpesh në rrethanat aktuale opinioni keqorientohet me ose padashje dhe krijohen perceptime sikur mbështeten kauza apo individë në mënyrë fiktive. Manipulimi publik me taborë, nuk prodhon realitete por gënjeshtra sugjestionuese ose vetësugjestionuese që prodhojnë zhgënjim!/dritare.net
Marrë nga Facebook-u i autorit