Shqipëria ka ngjashmëri me Turqinë për shkak të historisë së përbashkët, ndaj fitoren e opozitës turke në disa qytete kryesore të Turqisë, opozita shqiptare nxitoi ta quante si humbje të Erdoganit dhe paralajmërim të humbjes së Ramës.
Mbase ngjashmëritë mes Ramës dhe Erdoganit edhe qëndrojnë , por opozita shqiptare nuk ngjan fare me atë turke.
Është e vështirë të analizosh rezultatin elektoral turk pasi Erdogani ka fituar në vlerë absolute.
Mbase Erdogani është autoritar për standardet e Stambollit dhe Izmirit, por goxha demokrat për ato të Anadollit, duke pasur parasysh fqinjët e tij.
Turqia është vështirë të klasifikohet me parametrat Evropianë pasi kufijtë e saj fillojnë në ato të BE dhe mbarojnë në zona konflikti.
Si i tillë Erdogan nuk ngjan fare me Ramën që kullandris vetëm 2 milionë shqiptarë.
Megjithatë ky krahasim që bën e djathta jonë do të kishte kuptim nëse do të donte t'i jepte lavdi betejës së saj, por jo tani që ka futur kokën në rërë dhe e tremb edhe sozia e zbehtë e Erdoganit.
Megjithatë duke ju rikthyer opozitës turke, ajo nuk ngjan fare me atë shqiptare. Opozita turke ndryshe nga ajo shqiptare nuk ka ndenjur të qajë dhe as të vijë vërdallë rrugëve të Stambollit dhe Ankarasë apo studiove televizive. Pavarësisht se liderë të saj kanë përfunduar në burg me akuza të diskutueshme, ajo nuk ka dalë nga sistemi, por ka vazhduar betejën politike. Opozita turke nuk ka konservuar liderët e saj të akuzuar për korrupsion dhe klientelizëm dhe as ka mbajtur hallin e tyre, por ka nxjerrë figura të reja. Opozita turke nuk u dëshpërua edhe kur ekonomia turke rritej me 8-10% në vit dhe popullariteti i Erdogan prekte majat. E gjithë kjo ju shpërblye në datë 31 me triumf në qytetet kryesore të cilat deri dje mbaheshin nga AKP e cila i pati marrë dikur pikërisht për frymën antikorrupsion dhe antiestablishment që mbartte.
Nëse opozita shqiptare do t'i ngjante asaj turke, do të kishte kurajon të përballej politikisht me vëllain e Erdoganit, siç i pëlqen ta quajë Ramën.
Nuk pinë ujë justifikimet e saj se blihet vota. Le të futet në zgjedhje dhe të fitojë qytetet kryesore e kështu ta mundë Ramën moralisht. Mos të ankohet për blerje vote se nuk e shet njeri votën në Shkodër, Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Vlorë apo Gjirokastër.
Lekët pinë ujë në fshatra por jo në qytetet e mëdha. Ymer Lala mund të trembë në Dibër por asnjë Ymer nuk tremb dot Tiranën. Niçja i Shijakut mund të blejë Kënetën , por jo Durrësin. Nuk pi ujë as thesi me miell në lagjet e skamura, kur je në gjendje të krijosh frymë siç PS krijoi në 2011-ën. Se po të jetë për rrjet mbështetës, AKP kishte rrjetin e besimtarëve dhe xhamive që thyen një grusht shteti (dhe të një ushtrie si ajo turke), e megjithatë opozita turke fitoi në këto qytete. Nuk pi ujë as blerja me paratë e drogës se po të jetë për drogë , mafia turke bën dru gjysmën e Evropës dhe nuk krahasohet me ditëzinjtë e Vlorës dhe Mallakastrës që mezi furnizojnë Pulian me hashash.
Opozita paguhet nga taksat e shqiptarëve që të bëjë betejat politike në institucione dhe të mundë kundërshtaret në fushë të mejdanit. Nëse nuk ka këllqe, atëherë të hapë krahun dhe t'ia lerë radhën atyre që nuk kanë frikë të ndeshen me Edi Ramën.
Të jenë të sigurt që kështu do ju bëjnë nder edhe militantëve të tyre, që po i sjellin vërdallë, sa nga godina e kuvendit tek zyra e Sandër Lleshit.
Sepse nëse ka frikë Lul Basha të ndeshet me Edi Ramën, demokratët nuk kanë pasur ndonjëherë frikë të ndeshen me socialistët, edhe kur rrugëve kërciste kallashi.
Le t’ia u japë këtë mundësi në kutitë e votimit të Shqipërisë dhe mos ngazëllohet me fitoret e turqve të Stambollit dhe Ankarasë./dritare.net