Kryefjala e Kryeministrit këtë javë ka qenë ekonomia. Filloi me Jaguarët, dhe pastaj vazhdoi me taksat e biznesit të vogël. Kjo e fundit, është më e rëndësishme, pasi duket qartas se zoti Rama nuk ka një strategji të qartë për të arritur synimin e tij për të nxjerrë vendin nga kriza. Përkundrazi, duket sikur kriza e gjetur nga paraardhësi i tij, në vend që të reduktohej të paktën në planin psikologjik pas votimit plebishitar, përkundrazi është rënduar. Dhe këtë e ndihmon më tepër sjellja pa bosht e shefit të qeverisë. I cili mesa duket nuk e ka kuptuar se ekonomia nuk i pranon zhbalancimet e humorit siç i pranon arti. Ngjajmë me një anije në mes të detit, ku kapiteni i saj nuk ka as hartë, as dylbi, as kompast, as sekstant, por më e keqja eshte se as nuk di ku do të shkoje. Nuk ka kurs. Lundron me shikim te lirë. Dhe as zevendës kapiteni e as oficeri i parë, nuk marrin vesh nga lundrimi. E në të tilla raste një gjë është e sigurtë për pasagjeret: do të torturohen, do të vjellin, do ju nxihet jeta, dhe nuk do të mberrijnë askund. Dikur Musolini thoshte: "Italianët nuk është e vështirë ti qeverisesh, por është e kotë". Mesa duket Edi Rama ndan te njejtin mendim per shqiptarët. Por nëse Musolini nuk votohej, Rama e ka provën e zjarrit pas dy vjetësh. Vite që ikin shpejt.