Nis parkimi me pagesë në Tiranë, ja si përfitojnë banorët rezidentë!
Dritare.net
Ndaj u bëhet thirrje qytetarëve të informohen mbi pagesën, në rast se nuk dëshirojnë të përballen me bllokuesit e gomave. E po ashtu, edhe banorëve të këtij blloku, të pajisen me kartën e rezidentit, duke dorëzuar dokumentet e duhura pranë zyrave të “Tirana Parking”. Këshilli Bashkiak ka miratuar për këtë zonë tarifën 100 lekë për një orë parkimi në rrugët e vijëzuara me ngjyrë blu, ndërsa ato me vijëzim të bardhë janë zonat e lira ku mund të parkohet pa pagesë.
Janë shtatë rrugë të kryeqytetit të cilat, nga nesër do të bëhen me pagesë për të gjithë. Bëhet fjalë për bllokun “Shushica”, që kufizohet me rrugët: “Sulejman Delvina”, “Gjik Kuqali”, “Grigor Heba” e “Medar Shtylla”, si dhe tri të tjera: “Komuna e Parisit” “Gjin Bue Shpata” dhe “Emin Duraku”, për të cilat duhet të paguash në rast se nuk je i pajisur me kartë rezidenti. Për të siguruar këtë të fundit, banorët e një zone administrative duhet të dorëzojnë sa më parë pranë zyrave të drejtorisë së përgjithshme të “Tirana Parking” një listë dokumentesh (të detajuara në tabelën përbri) që vërtetojnë se qytetari banon në një zonë të caktuar.
Kështu, kundrejt dokumentit të taksave vjetore, në xhamin e përparmë të makinës, ata që kanë një makinë, do të kenë edhe kartën e rezidentit, e cila nuk është gjë tjetër veçse një pullë ngjitëse e personalizuar, në të cilën shënohet targa e mjetit, afati i vlefshmërisë, nurmi serial dhe ai i zonës ku banon.
Por, pajisja e rezidentit me kartë nuk i jep të drejtë këtij të fundit të parkojë në rrugët e caktuara me sistem tarifimi (ato me vijëzim blu). Banori i zonës, i cili ka një kartë të personalizuar, po ashtu nuk ka një vend të tillë. Ai mund të parkojë në një nga vendparkimet në dispozicion në të gjithë zonën. Projekti për këtë kategori që përfitojnë parkim pa pagesë parashikon për ta çerekun e vendparkimeve brenda zonës ku banon, me përjashtim të rrugëve kryesore të përcaktuara me sistem tarifimi. Për shembull, nëse një rezident i zonës 1 dëshiron të parkojë në zonën 3, ka dy mundësi për të parkuar: në rrugët me vijëzim të bardhë, të përcaktuara si “të lira” dhe në ato me vijëzim blu kundrejt pagesës.