Thaçi: Albin Kurti hapi kufirin me Serbinë, e mbylli me Shqipërinë!
Dritare.net
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër në lidhje me atë që ka ndodhur sot në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku disa mjete nuk janë lejuar të kalojnë, e disave të tjera u është vendosur taksë.
Thaçi thotë se Albin Kurti, hapi kufirin me Serbinë, por e mbylli atë me Shqipërinë, duke u kujtuar Kurtit edhe bashkimin kombëtar.
Statusi i Thaçit:
Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.
Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë.
Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar! / I.M-Dritare.net