
Si një përqafim tronditi një martesë dhe një kompani me vlerë 1 miliard paund
Dritare.net
Në një ngjarje që duket sikur është shkëputur nga një skenar satire, një episod i sikletshëm gjatë koncertit të grupit Coldplay në stadiumin Gillette në Boston ka ndezur rrjetin dhe ka tronditur jetën personale dhe profesionale të disa drejtuesve të një kompanie të njohur teknologjike. Gjatë një segmenti të koncertit ku përdoret "kiss-cam" për të argëtuar publikun — një kamerë që fokusohet mbi çifte të rastësishëm në turmë dhe i transmeton në ekranet e mëdha të stadiumit — kamera u ndal mbi një burrë dhe një grua që përqafonin njëri-tjetrin në mënyrë të dashur.
Në pamje të parë, dukeshin si një çift i zakonshëm i dashuruar në një koncert. Por ajo që ndodhi më pas nxori në pah një dramë të vërtetë personale dhe korporative. Çifti u pa duke u tensionuar papritur kur kuptuan që po shfaqeshin në ekran, gruaja mbuloi fytyrën me duar dhe burri u ul me shpejtësi, duke u përpjekur të shmangte kamerën. Këngëtari i Coldplay, Chris Martin, në mënyrën e tij humoristike, tha: “Ooo, shikoni këta të dy! Ose janë duke pasur një aferë, ose janë shumë të turpshëm”, duke ndezur edhe më tej reagimin e publikut.
Ajo që filloi si një moment i pafajshëm humoristik, mori përmasa të mëdha kur një spektatore 28-vjeçare, Grace Springer, filmoi incidentin dhe e postoi në TikTok. Videoja u bë virale brenda orëve, duke kaluar mbi 30 milionë shikime dhe duke shkaktuar një valë hetimesh online nga përdorues të rrjeteve sociale. Shumë shpejt, burri u identifikua si Andy Byron, CEO i kompanisë “Astronomer”, një firmë teknologjike nga Nju Jorku me vlerë mbi 1 miliard dollarë. Gruaja ishte Kristin Cabot, e cila ishte emëruar si “Chief People Officer” (drejtoreshë e burimeve njerëzore) në të njëjtën kompani vetëm pak muaj më parë.
Byron është i martuar me Megan Kerrigan Byron dhe ka dy fëmijë, ndërsa Cabot, sipas raportimeve, është e divorcuar. Si për të komplikuar situatën edhe më shumë, në video shfaqet edhe një kolege tjetër e kompanisë, Alyssa Stoddard, e cila duket plotësisht e shokuar — një mimikë që shumë komentues e përshkruan si “emoji me dhëmbë të shtrënguara në mënyrë perfekte”.
Menjëherë pas publikimit të videos, përdoruesit online nisën një “gjueti shtrigash” digjitale: profili i LinkedIn-it i Byron u përmbyt me komente, faqja e Facebook-ut e gruas së tij u fshi, dhe media nxori nga arkivat një komunikatë për shtyp të vitit të kaluar ku Byron e përshkruante Cabot si një “të përsosur” për kompaninë. Kjo komunikatë, në retrospektivë, u lexua me një ton ironik nga publiku.
Gjithçka u kthye në një “reality show” digjital. “Coldplaygate” — siç u quajt ngjarja — shpërtheu në rrjetet sociale. Komentet ishin nga më të ndryshmet, duke përfshirë shaka për shijet muzikore (“Do ta lija burrin vetëm pse shkon në koncert të Coldplay”) e deri te memet dhe llogaritjet financiare për ndarje. Ish-punonjës të kompanisë, sipas burimeve për New York Post, po e shijojnë skandalin dhe po shkëmbejnë mesazhe tallëse në grupet private.
Por përtej të qeshurave, rasti po ngre pikëpyetje serioze për etikën profesionale. Komente të shumta po kërkojnë shkarkimin e Byron si CEO. Ekspertë të menaxhimit dhe ligjit të punës kanë theksuar se marrëdhëniet romantike në nivelet e larta të drejtimit, veçanërisht kur përfshijnë një epror dhe një vartës, krijojnë konflikt interesi dhe rrezikojnë morale të brendshme, përveç se mund të hapin rrugën për padi ligjore.
Lulu Cheng Meservey, një sipërmarrëse e njohur, tha në një postim në X (ish-Twitter) se bordi i Astronomer duhet ta zëvendësojë Byron për të rikthyer fokusin në biznes dhe për të ruajtur reputacionin e kompanisë. Ndërkohë, sipas analizave të kompanisë exechange.com, më pak se 2% e CEO-ve shkarkohen për arsye të sjelljes joetike, por presioni publik mund të ndryshojë rrjedhën e zakonshme.
Ndërsa vetë Byron nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare, një “deklaratë e rreme” e tij qarkulloi në internet, ku përfundonte me vargjet e këngës “Fix You” të Coldplay – gjë që e bëri të qartë se ishte një falsifikim. Chris Martin vetë, në fund të performancës, i adresoi momentin me një shaka të butë: “Shpresoj që nuk bëmë ndonjë gjë të keqe.”
Në fund të ditës, një video e pafajshme në një koncert të Coldplay ka tronditur jetën personale dhe karrierat profesionale të një CEO-je dhe një drejtoreje HR, duke sjellë edhe njëherë në qendër të vëmendjes rreziqet e marrëdhënieve të papërshtatshme brenda zyrës./l.f-dritare.net

















