Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria vendi i parë në Ballkan që pret Konferencën Vjetore të IAIS!

Shqipëria vendi i parë në Ballkan që pret Konferencën

Shqipëria mirëpret një tjetër aktivitet prestigjioz ndërkombëtar, teksa Konferenca Vjetore e IAIS Organizata Botërore e Mbikëqyrësve të Sigurimeve zhvillohet për herë të parë në rajonin e Ballkanit, duke e vendosur Tiranën në qendër të vëmendjes globale të industrisë së sigurimeve.

Aktiviteti, i cili mbledh drejtuesit më të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse nga e gjithë bota, u çel me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit ndërkombëtar përballë sfidave të sotme globale. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri nënvizoi se rreziqet moderne – nga ndryshimet klimatike te kërcënimet kibernetike – kërkojnë qasje gjithëpërfshirëse dhe zgjidhje novatore, duke vlerësuar rolin e industrisë së sigurimeve në ndërtimin e rezistencës ekonomike dhe shoqërore.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

"Më lini t’ju them që isha pak i shqetësuar kur hyra në sallë, sepse ora 9-të dhe ju të gjithë jeni këtu, që mund të nënkuptojë që nuk e keni patur të gjatë natën mbrëmë, siç ndodhi me konferencën e kaluar, në të njëjtën sallë, që kur erdha, nuk gjeta asnjë, por ndoshta kjo është edhe shenjë e mirë sepse të mbulosh rreziqe, duhet patjetër që të flini gjithmonë mirë.

Faleminderit shumë që jeni këtu dhe shpresoj që veshja ime t’ju tregojë se sa seriozisht e kam marrë këtë fjalim.

Në fakt isha shumë i kënaqur të shoh sërish në Tiranë, drejtuesin e ceremonisë Ali Asllan, mikun tim të dashur turk që ndodh që është gjerman, me të cilin ndajmë gëzimplotë skenat, por në këtë rast më duhet thjesht të flas vetëm dhe shpresoj që nuk do të jem i mërzitshëm, ndërkohë që përpiqem të mbuloj aspekte të betejave tuaja të përditshme, në një botë që sa vjen e është në rrezik e në një kohë ku e gjejmë veten të rrethuar nga më shumë rreziqe sesa kufij. Ndryshimi i klimës, kërcënimet kibernetike dhe luhatjet e tregjeve globale, janë sfida që na ndikojnë të gjithëve dhe që kërkojnë prej nesh zgjidhje novatore dhe gjithëpërfshirëse.

Problemi është që dritarja për të përmbushur objektivat e klimës po mbyllet me shumë shpejtësi dhe pasojat e mosveprimit, po formësojne tashmë ekonomitë tona dhe po imponojnë një kosto shumë të shtrenjtë në jetët tona të përndritshme. Në këtë moment përcaktues, është afërmendsh që industria e sigurimeve është përballë një sfide të jashtëzakonshme dhe po kështu, është përballë zgjedhjeve shumë të vështira në një përpjekje për të kthyer rrezikun në rezistencë dhe në siguri të përbashkët.

E gjithmonë e më tepër rreziqet e sotme janë thellësisht të ndërlidhura; kërcënimet ndaj klimës gjejnë jehonë tek pasiguritë financiare ndërkohë që ndërhyrjet kibernetike ndërthuren me stabilitetin tonë ekonomik dhe harmoninë shoqërore. Ato ndërlidhje që nxisin rritjen, mund të rrisin edhe dobësitë tona. Për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, na duhet të përqafojmë një qasje tërësore ndaj rezistencës që merr në konsideratë, morinë e sfidave me të cilat përballen familjet, bizneset e kombet.

Për ekonomitë më të vogla, pasojat e këtyre rreziqeve globale janë të amplifikuara ndërkohe që përballemi me të njëjtat kërcënime, si vende të mëdha, shpesh na mungon rezistenca financiare, forca institucionale dhe mbulimi i nevojshëm i sigurimeve që t’i përballojmë ato. Vitet e fundit na kanë treguar se sa shpejt mund të trazojnë krizat ekonomitë tona, të ndikojnë vendet tona të punës, të sfidojnë shërbimet tona publike e të stresojnë komunitetet tona.

Megjithatë, mes këtyre sprovave ka nj mësim të fuqishëm. Ne mund të mos parashikojmë dot çdo katastrofë, por mund të fortifikohemi për të përballuar e për t’u rimëkëmbur. Të ndërtosh një rezistencë të tillë, duhet një mendësi e ndryshme, proaktive. Në shumë vende ekzistojnë ende hendeqe domethënëse të mbulimit. Në rastin e Shqipërisë për shembull, pavarësisht përpjekjeve për një mbulim më të mirë, me sigurime, ende shumë familje, biznese të vogla, mbeten pa mbrojtjen e nevojshme. Dëmi i katastrofave të tilla si përmbytjet, zjarret e tërmetet, mund të fshijnë vite pune të mundimshme duke i lënë ata të pambrojtur, të vuajnë me gjatë e të investojnë shumë më pak për të ardhmet e tyre. Rruga përpara është e qartë; na duhet të zgjerojmë rrjetet tona të sigurisë për të përfshirë më shumë individë, sektorë e lloje rreziqesh e të sigurohemi që këto zgjidhje të jenë të mundshme për t’u marrë nga gjithkush po natyrisht, aq sa është e qartë, po aq është më e lehtë kjo rrugë për t’u thënë e për t’u parë se sa për t’u ndërtuar.

Po ndërkohë ana pozitive e kësaj tabloje të zymtë, është që ka zgjidhje qe po dalin. Platformat digjitale po na fuqizojnë që të zgjerojmë shtrirjen tonë, sidomos tek komunitetet e nënshërbyera me një fraksion të kostos së mëparshme.

Evoluimi i vazhdueshëm digjital që po kalojmë, synon të krijojë tregje më efikase, më të aksesueshme, përfshirë sigurimet. Edukimi i qytetarëve tanë me dije financiare, do t’i ndihmojë që t’i shohin sigurimet si një pjesë thelbësore e jetës së tyre dhe si një investim të së ardhmes së tyre.

Strategjitë novatore të sigurimeve, ofrojnë premtimin e rezistencës për të gjithë. Nisma si mikro-sigurimet mund të ndihmojnë me zgjerimin e mbulimit për të përfshirë bizneset e vogla dhe individët me të ardhura të ulëta duke lidhur ngushtë sigurinë shoqërore me zgjidhjet e orientuara nga tregu. Kur bëhet me sukses, sigurimi gjithëpërfshirës, jo vetëm që ofron siguri, por ripërcakton rolet qeveritare nga të qenit thjesht frenuese, tek të qenit mbështetëse proaktive qe nxisin gatishmërinë e rimëkëmbjen.

Së bashku ne mund ta amplifikojmë ndikimin tonë përmes bashkëpunimit rajonal sigurisht. Rreziqet nuk mbeten brenda kufijve e gjithmonë e më pak ndodh kështu. Kësisoj, as strategjitë tona nuk duhet të kufizohen. Duke mbledhur bashkë burimet, duke ndarë pikëpamjet, duke harmonizuar politikat midis vendeve, ndërtojmë një përgjigje më të fortë ndaj krizave ndërkohë që e bëjmë më të lehtë për tregjet e vogla, të angazhohen me sigurimet dhe investimet ndërkombëtare. Një qasje e mirë koordinuar ndaj ndarjes së riskut sidomos përmes qeverisë dhe partneriteteve me sigurimet, si politikat për katastrofat kombëtare apo ri sigurimet përqendruar në bujqësi, sjellin si rezultat zgjerimin e mbulimit, uljen e primeve dhe përshpejtojnë proceset e rimëkëmbjes.

Legjislacioni i BE-së për shërbimet financiare ka evoluar thellësisht. Harmonizimi me të, nuk është thjesht një proces teknik, por po kështu një platformë për të ndërtuar besim, rezistencë e gjithëpërfshirje në sistemin tonë financiar.

Përparimi është tashmë i dukshëm siç theksohet edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Europian, modernizimi i mbikëqyrjes së sigurimeve në Shqipëri dhe harmonizimi gradual me standardet e BE-së, shënojnë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më të sigurtë e të integruar financiar. Përpjekjet modernizuese në Shqipëri i çelin rrugën një rrjeti më të sigurtë e të integruar financiar. Përfshirja e sigurimit në politikat tona publike, duke e lidhur me rezistencën klimaterike, bujqësinë, infrastrukturën dhe rrjetat e sigurisë sociale, do të përmirësojnë jashtëzakonisht qasjen tonë ndaj financimit të rrezikut nga katastrofat. Një strategji gjithëpërfshirëse që bën bashkë sigurimet, fondet rezervë dhe buxhetimin, mund të zbusë në mënyrë të jashtëzakonshme, rreziqet fiskale nga katastrofat natyrale. Për më tepër orientimi i sistemeve tona financiare drejt praktikave të gjelbra, më të gjelbra është jetike.

Zhvillimi taksonomive të gjelbra do të orientojë burimet drejt nismave që forcojnë zbutjen e rrezikut mjedisor dhe përshtatjen me klimën duke siguruar që rritja e sotme të mos kompromentojë rezistencën e nesërmes.

Të nderuar miq, zonja dhe zotërinj, sfidat përpara nesh janë të pa mata, por po kështu janë dhe mundësitë. Së bashku përmes inovacionit, bashkëpunimit dhe angazhimit ne mund të transformojmë pasigurinë në rezistencë dhe kompleksitetin në forcë edhe krizën në mundësi të reja.

Kjo është gjithmonë e më tepër botë e guximtarëve dhe është një moment kur zgjedhja nuk mund të jetë më e qartë, o të ecim përpara në rrugëtimin e inercisë, të mbyllim sytë përpara ajsbergut, përpara se ajsbergu të na fundosë të gjithëve apo të jemi të guximshëm, të jemi krijues dhe të bashkuar për të çelur një shteg të ri që do të na shpëtojë të gjithëve. Ajo çka është me interes në botën e sotme është se askush nuk mund ta shpëtojë veten apo kombin e tij i vetëm. Ose të gjitha kombet do të bëhen bashkë për të shpëtuar njerëzimin ose njerëzimi do të shkojë në ferr me të gjitha kombet së bashku. Është shumë e thjeshtë!

Ndërkohë, sidoqoftë ka diçka shumë të rëndësishme për të mos harruar kur jeni në Tiranë, të ndarë në mënyrë shumë racionale kohën midis kësaj salle të errët dhe diellin që ju pret jashtë. Kështu që, ju lutem, shijojeni konferencën por mos harroni të shijoni qytetin tonë të mrekullueshëm dhe t’i merrni më të mirën mikpritjes sonë kaq bujarisht brutale."/ dritare.net