Sezoni i plazhit nisi, por kujdes. Ja çfarë duhet të keni parasysh!
Dritare.net

Me nisjen e ditëve më të ngrohta, shumë qytetarë kanë zgjedhur plazhin për fundjavën dhe ditët e para të sezonit veror. Megjithatë, pavarësisht motit me diell, mjekët këshillojnë kujdes, pasi temperaturat e ajrit dhe sidomos të ujit mbeten ende relativisht të freskëta.
Për fëmijët, ndryshimet e menjëhershme të temperaturës mund të sjellin shqetësime shëndetësore. Specialistët rekomandojnë që hyrja në ujë të bëhet gradualisht dhe jo menjëherë pas ekspozimit të gjatë në diell apo aktivitetit fizik.
Prindërit këshillohen gjithashtu të mos i lënë fëmijët të qëndrojnë për periudha të gjata me rroba banje të lagura, pasi era dhe temperaturat ende jo plotësisht verore mund të ndikojnë në shfaqjen e virozave apo shqetësimeve të tjera.
Një tjetër këshillë është të shmangen orët e gjata në plazh gjatë ditëve të para të sezonit dhe të mbahet gjithmonë me vete ujë, veshje të lehta dhe një veshje rezervë e thatë për fëmijët.
Edhe pse sezoni i plazhit ka nisur, ekspertët kujtojnë se organizmi ka nevojë për një përshtatje graduale me ndryshimin e temperaturave për të shmangur problemet shëndetësore./L.F-dritare.net