Plarent Ndreca për Dritare Tv: Mbledhja e të dhënave nga strukturat e partisë për të ndërtuar strategji elektorale!
Dritare.net
Plarent Ndreca kandidat i Partisë Socialiste, ishte i ftuar ne edicionin e lajmeve në Dritare Tv, ku foli për mesazhet e fundit qe ka ndaj qytetarëve dhe besimin për një mandat të tretë. Ndreca tha se qytetarët do të gjykojnë me votë punën e bërë në këto 8 vite qeverisje.
“Numri 20 është objektiv maksimal dhe ne jemi shumë afër fitores së këtij mandati, kjo lidhet me punën që është bërë në terren dhe në këto 8 vite. Edhe sondazhet e fundit e kanë treguar këtë fakt. Fushata jonë është aktive dhe intensive në komunikim me qytetarët për ato që kemi bërë apo për vërejtjet që mund të kenë qytetarët. Nuk shoh fushatë në terren nga kundërshtarët dhe as ndonjë organizim të mirëfilltë me takime të përditshme. Mbledhja e të dhënave është bërë në struktura të partisë, nuk janë të dhëna personale, por të dhëna kapilare me qëllim prirjen politike. Kjo bëhet për të patur një informacion, për të ndërtuar strategji sesi do të bëjnë fushatë dhe si do i qasen elektoratit. Roli i presidentit është i qartë, duke e braktisur detyrën e kreut të shtetit dhe duke u bërë pjesë e një pale politike. Është tregues i degradimit të institucionit të presidentit, pasi duket se ka mbizotëruar egoja e personit dhe ka kaluar nga kompetencat institucionale. Partia Socialiste ka treguar se është parti progresiste dhe ka qëllim bërjen e një shteti Evropian. Ne kemi garë me ritmet që duhet të çojmë vendin përpara dhe jo me kundërshtarët tanë. Duhet parë me sens objektiv se këto punë që janë bërë në 8 vite kanë munguar në 30 vite dhe populli me votën e tij do e tregojë duke na dhënë mandatin e tretë.”,- u shpreh Ndreca për Dritare Tv./dritare.net