Murrizi letër Ama-s. Kërkoj masa për Blendi Fevziun
Dritare.net
Deputeti i opozitës, Myslim Murrizi, përmes një letre i ka kërkuar Autoritetit të Mediave Audiovizive, të marrë masa ndaj gazetarit Blendi Fevziu.
Në letër Murrizi shkruan se Fevziu, në emisionin e së hënës ku i ftuar ishte Presidenti Ilir Meta, është shprehur me një fjalor denigrues ndaj deputetëve të opozitës parlamentare.
Letra e Murrizit
Shqetësimi që më duhet të përcjell tek Ju, merr shkas nga ajo që ka ndodhur ditën e Hënë, datë 25 Maj, gjatë transmetimit të një bisede të zhvilluar në studion e emisionit Opinion, programacion i Klan TV në cilësinë e Ofertuesit të Shërbimit Mediatik Auidioviziv. Gjatë bisedës mund të verifikohen lehtësisht shprehjet e përdorura nga moderatori i emisionit zoti Blendi Fevzi (ose Fevziu) (minuta 01:04:25).
Blendi Fevziu: Një nga mesazhet që mua më vjen i përsëritur në forma të ndryshme, por që thelbi mbetet i njëjtë që prej thuajse një viti zoti Meta, është ai që lidhet me të futurit e rinj në parlament. Për shumicën e shqiptarëve ata janë një shpërdorim i parave publike, janë karagjozë, me një nivel mizerabël kulturor, shumë nën nivelin e përgjithshëm të shqiptarëve, gjysma e atyre janë njerëz që kanë treguar cënime të mëdha morale në raport me forcat politike që i kanë kandiduar. Pyetja ime është kjo: A kanë përgjegjësi këta liderë politikë që e mbushin Parlamentin me karagjozë të këtij niveli?
Siç dallohet lehtësisht, Zoti Fevzi, duke u fshehur pas zërit të popullit të mbërritur tek ai në forma të ndryshme e të paqarta për gjithë të tjerët që nuk janë populli i Fevziut, haptazi, rregullisht dhe dhunshëm përdor jo një, por një listë të gjatë me togfjalësha denigrues për njerëz të cilët qëllimisht i grupon në një kategori pa cituar as edhe një emër të vetëm. Kjo mënyrë të bëri “emision” është tipike e personazhit, shprehjet e përdorura prej të cilit fatkeqësisht më duhet ti zbardhja për t’ua referuar si më sipër./E.B-dritare.net