Mos shndërro tragjedinë e femrës në një klikim mediatik/ Arbana Osmani i përgjigjet Brizida Gjikondit!
Dritare.net
“Të lutem Arbana mos, misioni yt është më i rëndësishëm se sa emisioni radhës”, ishte një pjesë nga reagimi i avokates dhe aktivistes Brizida Gjikondi, ndaj moderatores Arbana Osmani. Bëhet fjalë për njoftimin e dhënë nga kjo e fundit, për programin e kësaj të shtune, ku një 27-vjeçare do të rrëfejë historinë e saj të abuzimit që në moshë 12-vjecare nga roja i jetimores së Shkodrës dhe pasi e ka denoncuar në polici, edhe ky i fundit ka abuzuar me të.
“Të lutem Arbana, mos e shndërro tragjedinë e femrës shqiptare në një klikim sipërfaqësor mediatik, tragjedia është shumë më e thellë se aq, ti je vajzë e mirë, je e bërë vetë, hajde nesër në marshimin e femrave shqiptare, hajde që t’i japim këtij palo shteti një shtysë, që ti bashkërendojë institucionet, punët dhe t’i përgjojë të drejtat e fëmijëve në çdo cep të këtij pëllëmbë vendi, hajde. Misioni yt është shumë më shumë se emisioni i radhës”, shkroi Gjikondi në një publik. Duke iu përgjigjur, moderatorja përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se vajza në fjalë ka kërkuar që këtë rrëfim ta bëjë publikisht, dhe nuk mundet që t’i mbyllim gojën dhe mos ta dëgjojmë.
“Faleminderit Brizides për këtë mesazh publik. Në marshim do të jem patjetër me të gjitha mikeshat e mia. Ndërsa sa i takon rrëfimit të vajzës është një kërkesë e saj ABSOLUTE që rrëfimi të bëhet publik sepse ajo kështu NDJEN se mund t’i japë guxim vajzave si ajo që kanë vuajtur apo vuajnë abuzime të ngjashme. Ka me mijëra vajza në botë që marrin guximin dhe flasin për herë të parë, në TV pranon të dali dikush dhe është e padrejtë që ne t’i mbyllim gojën. Ajo bën një thirrje për ndihmë pasi ka humbur besimin në çdo institucion të këtij vendi, si thua të mos e dëgjojmë as unë dhe ti?”, shkruan Arbana Osmani./L.F-dritare.net