Lira Gjika: Prindër, fëmijët nuk pushojnë së qari me kërcënime!
Dritare.net
Pediatrja e njohur, Lira Gjika, ka dhënë një këshillë për të gjithë prindërit, se si duhet të sillen kur fëmijët e tyre qajnë për shkak të tekave, mërzitjeve apo për arsyet e tjera fëmijërore. “Një fëmijë nuk pushon së qari me kërcënime”, shkruan Gjika. Ilaçi më i mirë për fëmijët në ato momente, është një zë i butë, dhe qetësia nga ana e prindërve.
“Nuk ka impotencë më të madhe për njeriun, sesa paaftësia për të ngushëlluar dhe pushuar së qari një fëmijë të vogël. Një i rritur, që e pushon së qari një fëmijë me kërcënime, nuk është i rritur. Një fëmijë, që qan, është i pushtuar nga frika dhe vetmia. I rrituri, me sjelljen e tij kërcënuese ia fuqizon këtë frikë dhe vetmi. Pak durim dhe një zë i qetë e i ulët, sidomos kur ky zë është i nënës, të cilin fëmija e njeh që pa ardhur në këtë botë, janë “ilaçi” më i mirë. Përpiquni të rritur, prindër, gjyshër dhe edukatorë, të shmangni nervozizmin, që ju rrit padurimin dhe moskontrollin e vetes, kur dëgjoni të qarat e fëmijës”, këshillon pediatrja Lira Gjika./L.F-dritare.net