Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Lëvizja Vetëvendosje deklaratë kundër Trump

Lëvizja Vetëvendosje deklaratë kundër Trump

Lëvizja Vetëvendosje në një deklaratë për media është shprehur kundër deklaratave të Presidentit të SHBA, Donald Trump të cilat ai i bëri në një tubim elektoral në një shtet të SHBA.

Duke ju referuar marrëveshjes së 4 shtatorit, Trump ka thënë “ndalje të vrasjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë", ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, thotë se kjo deklaratë barazon krimet serbe dhe krimet shqiptare, ndërsa thotë se paqja do të vijë vetëm kur Serbia të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Deklarata e VV:

Dje dëgjuam presidentin e ShBA-ve të flasë në një tubim elektoral për “ndalje të vrasjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë", që paskan bërë krime të tilla kundër njëra-tjetrës, "për shekuj me radhë”.

Besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës. Po ashtu, ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua “prej qytetarëve”, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese. Këtë temë e shtjellon historiani Noel Malcolm, “Kosova - Një histori e shkurtër”, i cili tash e dy dekada është bërë lektyrë për ushtarakët e KFOR-it, pra edhe ata amerikanë, të stacionuar në Kosovë, dhe mendojmë se duhet të lexohet edhe prej diplomatëve e këshilltarëve të presidentit që merren me çështjen e Kosovës e atë të Serbisë. Nëse lufta në Kosovë do të kishte qenë e karakterit etnik, pra dallimi etnik na paska shkaktuar konfliktin, atëherë kurrë nuk do të intervenonte NATO dhe Milosheviqi nuk do të mund të konsiderohej përgjegjës prej vetë ShBA-ve, NATO-s, OKB-së, e vendeve kryesore demokratike të botës. E vërteta është që prapa krimeve e masakrave qëndronte një aparat shtetëror gjenocidal (i cili më herët kishte sulmuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë), kurse në anën tjetër populli shqiptar i pambrojtur në Kosovë, që u vetëmbrojt. NATO nuk mund të qëndronte duarkryq teksa Srebrenica po përsëritej në Kosovë.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe buxhetin më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe blen armë prej Perëndimit, por ç’është më e keqja, vazhdimisht blen prej Rusisë, e së fundi u bë vendi i parë evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës. Ndërsa Kosova, e cila ka partner të vetëm gjeopolitik perëndimin, ShBA e NATO, ka një ushtri minimale, nuk ka as armatim të rëndë e as buxhet të mjaftueshëm. Si mund ta rrezikojë Kosova e varfër dhe e çarmatosur Serbinë? Është Serbia ajo që ka pretendime në Kosovë, dhe armatimi i saj ofensiv nuk ka për synim vendet e largëta të botës, por pikërisht vendet fqinje e në radhë të parë Kosovën.

Me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë, por po zgjatet konflikti i ngrirë. Paqja vendoset kur dënohen e çarmatosen fajtorët e kur ShBA mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës, siç ka bërë gjithnjë. Paqja vendoset kur Serbia e njeh Kosovën e pavarur dhe ballafaqohet me të kaluarën e saj. Jo kur rehabilitohen ish bashkëpunëtorët e Milosheviqit që bënë agresion e kryen gjenocid./ I.M-Dritare.net