Lahuta Shqiptare, pasuri botërore e UNESCO-s!
Dritare.net

Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërjes së lahutës është shpallur zyrtarisht pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, në listën që kërkon mbrojtje urgjente. Ky është një nga sukseset më domethënëse për identitetin tonë kulturor.
I lindur në krahinat veriore shqiptare dhe i trashëguar brez pas brezi, arti i lahutës ka mbajtur gjallë Eposin e Kreshnikëve, baladat dhe vlerat e trimërisë, besës, nderit dhe mikpritjes, një trashëgimi që bashkon hapësirën kulturore shqiptare nga Malësia e Madhe deri në Rugovë, Drenicë, Plavë e Guci.
Kjo arritje vjen pas një pune kërkimore shumëvjeçare nga studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe AADF. Dosja e përgatitur sipas standardeve më të larta të UNESCO-s u dorëzua në mars 2024.
Shqipëria konfirmon angazhimin për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri të rrallë, duke vijuar bashkëpunimin me Kosovën për forcimin e trashëgimisë sonë të përbashkët./L.F-dritare.net