Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Replikon Rama: Unë nuk luftoj me gjykatësit, luftoj për gjykatësit!

Replikon Rama: Unë nuk luftoj me gjykatësit, luftoj për

Kryeministri ka reaguar pas deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve, e cila shprehu shqetësim për atë që e cilësoi “presion” ndaj Gjykatës Kushtetuese. Në një deklaratë publike, kreu i qeverisë tha se Shoqata “ose nuk e di kuptimin e fjalës presion, ose e përdor atë në mënyrë të njëanshme”, duke theksuar se për vite nuk ka reaguar ndaj kritikave të tjera të bëra ndaj sistemit të drejtësisë.

Kryeministri u shpreh se ka një dekadë që “lufton për drejtësinë dhe jo kundër saj”, duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit është arritje e Reformës në Drejtësi. Ai shtoi se opinioni i tij publik nuk do të heshtet, as edhe kur është palë në një proces në Gjykatën Kushtetuese, pasi – sipas tij – vendimmarrje të caktuara mund të ndikojnë funksionimin e institucionit që ai drejton.

Në vijim, Kryeministri kritikoi edhe kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të magjistratëve, duke e cilësuar atë si “marrje kompetencash të qeverisë dhe parlamentit”. Sipas tij, kërkesa për rritje të re pagash prej “1600 euro plus pagës aktuale” bie ndesh me rolin institucional të gjykatës.

Pavarësisht kritikave, Kryeministri deklaroi se qeveria dhe shumica parlamentare janë të hapura për komunikim institucional me Shoqatën e Gjyqtarëve për çështjet që lidhen me drejtësinë e re dhe sfidat e saj.

Reagimi i plotë:

Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta - madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti. Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.

Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit. Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh - po po, 1600 Euro plus pagës aktuale - të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre. Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia./.L.F-dritare.net