Kryemadhi: Më 25 prill do t'i japim fund çdo abuzimi, vota do të ndryshojë realitetin që po jetojmë!
Dritare.net
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar takimin e radhës me strukturat e LSI-së në Kashar. Në diskutim me ta, Kryemadhi theksoi se më 25 prill do t'i jepet fund çdo abuzimi të çdo partie politike, duke ftuar qytetarët të që votojnë.
"Unë dua t’i jem shumë mirënjohëse të gjithë grupit organizator, jo vetëm për takimet, por për të gjithë mundësinë e komunikimit. Sepse sot është shumë më e vështirë për njerëzit për të qenë me ne në takim, por e kanë shumë më të kollajshme për të na hapur dyert e shtëpive të tyre. Duke qenë se Lemi do të jetë edhe kandidat i LSI-së për të gjithë zonën e Kasharit dhe është përfaqësues i saj, duke qenë në komunikim edhe me strukturat e partisë, por të dalim edhe jashtë strukturave, të jemi të përfshirë tek angazhimi i qytetarëve dhe sidomos i njerëzve të cilët do të kenë mundësi për të votuar dhe nëpërmjet votës së tyre i japin votën jo vetëm LSI-së, por edhe Lemit.
Ne sot jemi në një ritëm shumë më të shpejtë seç kemi qenë në ditët e tjera. Sot është dita e 57-të nga zgjedhjet, nesër bëhen 56-të. Kështu që ajo që është më e rëndësishmja është që siç vjen duke u ngushtuar ajo hapësira e kohës për ne si LSI që duam të takojmë njerëzit, ashtu vjen duke u ngushtuar edhe hapësira e qeverisjes në ikje të Rilindjes.
Ne mendojmë që duhet t’u japim fund me zgjedhjet e 25 prillit çdo lloj abuzimi që bën çdo parti politike, çdo individ politik, me pushtetin që u është dhënë nga qytetarët. Prandaj i ftojmë të gjithë që më 25 prill të kenë shansin dhe mundësinë për të shkuar në kutinë e votimit, për të votuar dhe ndryshuar këtë realitet i cili për hir të së vërtetës është bërë i pamundshëm, sidomos për të rinjtë dhe të rejat, të cilët nuk shikojnë asnjë lloj mundësie jetese dhe punësimi këtu", tha Kryemadhi./M.M-dritare.net