Kraja: SPAK do të hetojë këdo që shpallet non grata në SHBA
Dritare.net
Kreu i SPAK Arben Kraja nga Kuvendi deklaroi se SPAK do të ndjekë çdo hetim deri në fund për çdo shtetas që shpallet i padëshiruar nga SHBA.
“Do kohën e vet çdo hetim se kur SPAK do të fillojë të ketë rezultate. Prokuroria e Posaçme duhet të ketë parasysh se ndëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut shkojnë paralel. Ne kemi dhënë rezultatet e para, janë goditur grupet e para. Bashkëpunojmë me të gjitha strukturat, me Policinë, por edhe me faktorin ndërkombëtar. Rezultate ka pasur. Pritshmërinë e njerëzve janë nga më të mëdha, ne ndeshemi aty edhe me gjëra që nuk kanë lidhje fare me punën tonë. Por ne jemi të vendosur që çdo rast që do të evidentohet, do ta hetojmë deri në fund, pa asnjë tërheqje.
Lista është një proces që ndodh në SHBA, ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona për një procedim penale e si shkohet deri te gjykata. Çdo individ apo material që do të kemi ne në dispozicion, në raport me çdo shtetas shqiptar, pa diskutim që jemi të vendosur për ta çuar hetimin deri në fund. Çfarëdo që do të vijë, përfshirë dhe partnerët ndërkombëtar”, u shpreh Arben Kraja në Kuvend. /L.F-dritare.net