Ja lajmet më të fundit nga Nju Jorku, i pushtuar nga koronavirus!
Dritare.net
Nga Kozeta Turishta - Nju Jork
Nju Jorku vazhdon të jetë epiqendra e pandemisë së Covid-19. Numri i të prekurve ka arritur mbi 50 mijë raste të konfirmuara vetëm në Nju Jork, ndërsa për gjithë Amerikën ka shkuar mbi 100 mijë raste, duke i bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendin më i prekur në botë nga kjo pandemi e paprecedentë.
Të shtunën paradite, në një konferencë për shtyp Guvernatori Andrew Cuomo, herë pas here i shqetësuar për situatën, ka shprehur se prioriteti i kësaj lufte mbeten ventilatorët/aparaturat e frymëmarrjes, pasi spitalet e Nju Jorkut vazhdojnë dita ditës të mbipopullohen dhe mungesa e shtretërve dhe e të gjitha mjeteve të tjera mjekësore po e vështirësojnë akoma më shumë punën e mjekëve në detyrë për të shpëtuar jetën e pacientëve nga ky virus që fillimisht shkaktohet nga vështirësia në frymëmarrje.
Përveç mjekëve dhe infermierëve që humbin jetën çdo ditë në krye të detyrës, është komunikuar po sot nga Policia e Nju Jorkut se, kanë humbur jetën dhe 3 oficerë të policisë së këtij shteti, teksa kanë qënë në shërbim të qytetarëve.
Pavarësisht se situata është tejet kritike për Nju Jorkun, Guvernatori Cuomo, u ka kërkuar qytetarëve të respektojnë të gjitha rregullat dhe distancimin social në mënyrë që të parandalohet më tepër përhapja e këtij virusi, pasi frikshëm ka konfirmuar Coumo, janë mbi 100 të prekur që vdesin brenda 24 orëve në Shtetin e Nju Jorkut, deri më tani.
Presidenti Donald Trump, në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se do bëjë të mundur që brenda 100 ditëve të prodhohen 100 mijë aparatura të frymëmarrjes.
Një tjetër lajm i mirë vjen nga FDA, organi më i lartë shtetëror për aprovimin dhe mbikëqyrjen e medikamenteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku së fundmi ka siguar me avancimin e testit prej 15 minutash. Çdo qytetar i cili preket nga simptomat e Covid-19, nëpërmjet këtij testi do arrijë të zbulojë brenda 15 minutave nëse është pozitiv dhe ndihmon parandalimin e virusit te të tjerët.
Situata tepër e rënduar brenda çdo 24 orësh, ka detyruar Presidentin Donald Trump të dalë në një tjetër konferencë për shtyp këtë të shtunë, ku u ka kërkuar guvernatorëve të tre shteteve Nju Jorku, Nju Xhersi, dhe Connecticut, për një periudhë të shkurtër kohore të jenë nën izolim total, si ndalimin e udhëtimeve, automjeteve, dhe çdo lloj tendence tjetër për kalimtarë të pabindur.
Ky vendim i Trump ka ardhur si pasojë e mos uljes së numrit të rasteve të të infekruareve dhe rritjes së viktimave nga virusi, veçanërisht në këto tri shtete.
Paniku sa vjen e rritet tek qytetarët, edhe për shkak se më shumë se 3.3 milionë njerëz kanë humbur punët e tyre.
Të premten, Presidenti Trump nënshkroi marrëveshjen prej 2 trilionë dollarësh, paketa më e madhe ekonomike në vend që stimulon xhepat e miliona njerëzve të papunë, ku do përfitojnë për aq kohë sa virusi do mbajë të mbyllur bizneset. Ndër të tjera Trump ka thënë se “vendi ynë po kalon një moment tepër të vështirë, por gjithë së bashku e të bashkuar do t’ia dalim dhe prioriteti im në këto kohë është vetëm jeta e qytetarëve, siguria e tyre pastaj vjen ekonomia”.
Është kaq e frikshme kur sheh qytetin e dritave që nuk fle kurrë të jetë nën pushtimin e heshtjes, pa jetë, dhe mbylljen e të gjitha dyqaneve, bizneseve, dhe çdo gjë tjetër që përbën tubim të njerëzve.
Teksa kalon nëpër rrugët e Nju Jorkut, mbizotëron një qetësi që të mbyt e të krijon një presion të madh emocional për të ardhmen, nëse do jetë i shpejt apo jo rikthimi i jetës normale.
Për shumicën e njerëzve, koronavirusi shkakton simptoma të lehta ose të moderuara, si ethe dhe kollë që kalojnë deri tre javë. Veçanërisht të moshuarit dhe ato njerëz të cilët kanë një histori të mëparshme shëndetsore, ky virus është një goditje serioze për ta, duke rritur ndjeshëm mundësinë e pneomunisë që çon deri në vdekje.
Ndërkohë njerëzit vazhdojnë të furnizohen me ushqime pasi kjo pandemi e ashpër duket të ketë një rrugë të gjatë deri në zhdukje./dritare.net