Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Atentati në Rinas/ Pezullohen drejtuesit e Forcës Operacionale

Atentati në Rinas/  Pezullohen drejtuesit e Forcës Operacionale

Agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Muçi Shaljani, vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ndodhet i intubuar në repartin e reanimacionit të Spitalit të Traumës në Tiranë. Burime mjekësore bëjnë me dije se 40-vjeçari ka marrë 10 plumba në trup, një prej tyre në kokë, pas atentatit mafioz të ndodhur pranë aeroportit të Rinasit.

Nga hetimet paraprake, policia e Tiranës ka sekuestruar pamjet filmike të bizneseve dhe kamerave të sigurisë së aeroportit për të identifikuar persona apo mjete të dyshimta që mund të kenë ndihmuar autorët. Dyshohet se autorët kanë qenë katër persona, tre qitës dhe një shofer, të cilët kanë lëvizur me një automjet tip Toyota Yaris me targa të vjedhura në Greqi. Ende nuk është përcaktuar nëse makina ishte e vjedhur edhe në territorin shqiptar, pasi numri i shasisë nuk është rikuperuar për shkak të dëmtimit nga zjarri.

Sipas të dhënave hetimore, autorët kanë ardhur nga zona e Niklës në drejtim të Rinasit dhe pas atentatit janë larguar sërish drejt të njëjtës zonë. Gjatë sulmit janë përdorur katër armë zjarri, ndërsa njëri prej atentatorëve, pas breshërisë së parë, ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar nga afër drejt viktimës dhe të plagosurit.

Objektiv i atentatit dyshohet të ketë qenë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili udhëtonte së bashku me agjentin Shaljani. Të dy kishin ardhur nga Barcelona, dhe sapo kishin lënë aeroportin e Rinasit, kur automjeti i tyre tip “Benz” u qëllua me breshëri automatiku nga autorët. Mjeti i Danit lëvizi disa metra për inerci dhe më pas ndaloi, ndërsa atentatorët, për t’u siguruar për rezultatin e sulmit, kryerën goditjet përfundimtare nga afër.

Rreth një orë më pas, një makinë e djegur u gjet në fshatin Halil të Fushë-Krujës, ku u zbuluan tre kallashnikovë dhe disa pistoleta, të cilat dyshohet se u përdorën në atentat.

Ndërkohë, burime nga Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar (DSIK) kanë konfirmuar se agjenti Muçi Shaljani nuk kishte certifikatë sigurie, çka ka ngritur dyshime mbi procedurat e punësimit të tij në AMP. Për këtë arsye, është nisur një hetim i brendshëm për mënyrën e rekrutimit, ndërsa drejtori i AMP-së, Eduart Merkaj, ka pezulluar përkohësisht zinxhirin komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.