Gjykata rrëzon studentët, zgjedhjet ne Universitete mbahen me 30 korrik!
Dritare.net
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, ka rrëzuar një kërkesë të studentëve të cilët kërkonin pezullimin e procesit të zgjedhjeve në Universitete i cili është paraparë të mbahet me 30 korrik.
Gjykata ka thënë tanimë që zgjedhjet janë të rregullta dhe ato do të mbahen me 30 korrik pavarësisht kërkesës së studentëve, dhe kundërshtisë së disa nga kandidatëve për rektor.
Njoftimi i Komisionit Institucional të Zgjedhjeve të Universitetit të Tiranës:
Komisioni Institucional Zgjedhor i Universitetit të Tiranës përshëndet vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë që rrëzoi kërkesën e një grupi studentësh për pezullimin e procesit zgjedhor në institucionet e arsimit të lartë.
KIZ për Universitetin e Tiranës e vlerëson këte vendim si inkurajim në veprimtarinë tonë të deritanishme në funksion të garantimit të një procesi sa më të drejtë, të paanshëm, të ndershëm, transparent, të pavarur nga çdo ndërhyrje e grupeve të ndryshme të interesit që cënojnë demokracinë dhe autonominë universitare, vendim që mbron demokracinë zgjedhore universitare dhe mundëson rotacionin e autoriteteve dhe organeve drejtuese përmes votës së lirë të studentëve dhe personelit akademik përmes një procesi të ligjshëm zgjedhor në universitetet publike në vend.
Ky proces zgjedhor do të jetë edhe garantimi i një sinergjie shumëdimensionale institucionale për përmbyllje të suksesshme të këtij Viti Akademik por edhe një fillim i mbarë për vitin akademik të ardhshëm.
Çdo interpretim tjetër, si ai se është duke u penguar e drejta e zgjedhjeve është një tymnajë të cilën Vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë e shpërndau duke respektuar e ritheksuar parimin e ligjshmërisë së tyre.
Ky Vendim i dha përgjigjen pretenduesve në të kundërt dhe krijoi kushtet ligjore për të ndaluar qendrimin në funksione drejtuese përtej afateve të ushtrimit të mandatit.
I bëjmë thirrje të gjithë trupës zgjedhore të Universitetit të Tiranës që në detyrim të autonomisë dhe të demokracisë së brendshme universitare ta konsiderojmë ushtrimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për tú zgjedhur si kontributin më të madh për rritjen e cilësisë së veprimtarisë akademike dhe kërkimit shkencor nga personeli akademik dhe studentët e të gjithë cikleve në Universitetin e Tiranës./ I.M-Dritare.net
·