GJKKO urdhëron SPAK të hetojë deputetin Arjan Ndoja për pastrim parash dhe fshehje pasurie
Dritare.net

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar SPAK-un të nisë hetimet ndaj deputetit Arjan Ndoja për dy vepra penale: pastrim parash dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie. Vendimi është marrë nga gjyqtari Erion Çela, i cili ka konstatuar se kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes ishte absolutisht e pavlefshme.
Hetimet ndaj Ndojës kishin nisur që në vitin 2023 nga Prokuroria e Tiranës, por meqë ai fitoi mandatin e deputetit në zgjedhjet e 11 majit, çështja ndryshoi kompetencë. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës kërkoi mbylljen e procedimit, por gjykata e shpalli moskompetencën dhe ia referoi dosjen GJKKO-s.
Pas shqyrtimit, gjyqtari Çela vendosi që të gjitha aktet e mbledhura deri tani t’i kalojnë SPAK-ut dhe që Prokuroria e Posaçme të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet e plota ndaj deputetit. Sipas gjykatës, me ndryshimin e statusit të Ndojës, vetëm SPAK është institucioni kompetent për vijimin e çështjes.
Arjan Ndoja, ish-prokuror i shkarkuar nga vettingu dhe aktualisht deputet i PD-së, pritet të përballet me hetim për burimin e pasurisë dhe dyshimet për pastrim parash./L.F-dritare.net