Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

GJKKO ndryshoi masat për profesorët e UBT-së, Rama: Jam i lehtësuar!

GJKKO ndryshoi masat për profesorët e UBT-së, Rama: Jam i

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të GJKKO për lehtësimin e masave të sigurisë për stafin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke u shprehur i lehtësuar për këtë vendim.

Rama theksoi se ky lehtësim i masave nuk do të ndikojë në procesin e drejtësisë, e cila mund të vazhdojë pa pengesa hetimet dhe gjykimet për shkeljet e dyshuara.

"Ja pse jam i lehtësuar me lajmin e rrëzimit në Gjykatën Speciale të 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor:

1. Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e kujtdoqoftë që mund të jetë krejt i pafajshëm, kthehet në një ferr padrejtësie me pasoja traumatike.

2. Prokurorët dhe gjykatësit mund ta bëjnë tani pa asnjë ndryshim, deri në fund, detyrën e tyre dhe fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë, nëse kanë prekur fondet publike. Por ama jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet.

3. Aleanca strategjike e UBT me Universitetin BOKU të Vienës, që u krijua me një përpjekje të madhe të qeverisë dhe programi ambicioz i transformimit rrënjësor, e i njehsimit të diplomave BOKU/UBT2030 nuk kërcënohet më nga humbja e besimit të partnerëve austriakë përballë panoramës lemeritëse të 24 masave të sigurisë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë operacion në fshatin Corleone!

Duam luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndëshkim pa mëshirë për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por po ashtu, nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të normave demokratike europiane të drejtësisë. Pas 100 e kusur vitesh e kemi tërhequr pushtetin politik nga fusha e drejtësisë dhe ia kemi lënë drejtësisë të na hetojë e gjykojë edhe ne, si të gjithë të tjerët, nëse shkelim ligjin. Shpatën e ndëshkimit ia kemi dorëzuar SPAK-ut. Peshoren e drejtësisë ia kemi besuar Gjykatës Speciale. Por fashon e pavarësisë e paanësisë prokurorët, e sidomos gjykatësit, duhet ta bëjnë pa humbur kohë pjesë të lëkurës së tyre profesionale, në respekt të prezumimit të pafajësisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të standarteve demokratike të drejtësisë europiane. Prandaj, shpatën ta mbajnë lart, e kanë gjithë mbështetjen tonë. Peshorja është e tyrja, nuk ndërhyjmë në brendinë e çështjeve. Por sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht. Drejtësia e re e Shqipërisë 2030 në BE duhet të jetë si kjo statujë e Zonjës së Drejtësisë. Për të gjithë. Gjithnjë!", shkruan Rama./l.f-dritare.net

GJKKO ndryshoi masat për profesorët e UBT-së, Rama: Jam i