Gjermania kthen detyrimin ushtarak për 18-vjeçarët: “Duhet të jemi gati për vitin 2029”
Dritare.net

Qeveria e koalicionit në Gjermani ka arritur një marrëveshje për një plan të ri të shërbimit ushtarak, pas muajsh debatesh politike. Masa synon rritjen e numrit të trupave dhe forcimin e mbrojtjes kombëtare në një kohë kur rreziku nga Rusia konsiderohet në rritje nga autoritetet gjermane.
Sipas planit të ri, të gjithë meshkujt 18-vjeçarë do të detyrohen të plotësojnë një pyetësor për përshtatshmërinë e tyre për shërbim. Nga viti 2027, ata do t'i nënshtrohen edhe ekzaminimeve mjekësore të detyrueshme. Për femrat 18-vjeçare, pjesëmarrja do të mbetet vullnetare.
Qeveria e kancelarit Friedrich Merz synon të rikrijojë një forcë ushtarake të aftë për t’u bërë më e forta konvencionale në Europë. CEO i kompanisë më të madhe të mbrojtjes në vend, Rheinmetall, Armin Papperger, deklaroi për BBC se objektivi mund të arrihet brenda pesë viteve.
Aktualisht, Bundeswehri numëron rreth 182,000 trupa. Plani i ri synon shtimin e të paktën 20,000 ushtarëve brenda vitit të ardhshëm, si dhe arritjen e 255,000 – 260,000 trupa aktive brenda një dekade, të mbështetura nga rreth 200,000 rezervistë.
Megjithatë, masa ka shkaktuar debat të gjerë në vend, veçanërisht mes të rinjve. Një sondazh i Forsa-s tregon se 63% e grupmoshës 18–29 vjeç janë kundër shërbimit të detyrueshëm. Protestat para Bundestagut kanë pasur pjesëmarrjen e të rinjve që e konsiderojnë planin si cënim të lirisë së tyre.
“Unë nuk dua të shkoj në luftë, nuk dua të vritem dhe as të më qëllojnë,” tha Jimi, një 17-vjeçar nga Berlini. Ndërkohë, të rinj të tjerë si Jason, 21 vjeç, janë bashkuar me ushtrinë për shkak të “situatës aktuale të sigurisë” dhe dëshirës për të kontribuar në mbrojtjen e vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka kërkuar të qetësojë opinonin publik, duke theksuar se plani nuk duhet të ngjallë frikë, pasi qëllimi i tij është forcimi i aftësive parandaluese të Gjermanisë.
Votimi për planin pritet të zhvillohet deri në fund të vitit 2025. Nëse objektivat nuk arrihen, parlamenti mund të shqyrtojë edhe forma më të gjera të detyrimit ushtarak.
Gjermania, e cila pezulloi shërbimin e detyrueshëm më 2011 pas rënies së tensioneve të Luftës së Ftohtë, po përballet sot me presion të ri për të rritur kapacitetet e saj ushtarake si nga aleatët e NATO-s, ashtu edhe nga situata e sigurisë në kontinent./L.F-dritare.net