Fotoja e momentit: Si u kap imazhi i vetëm i Princit Andrew pas lirimit nga policia
Dritare.net
Fotografi i Reuters, Phil Noble, ka treguar historinë pas fotos që po bën xhiron e mediave, ku shfaqet Princi Andrew duke u larguar nga një stacion policie pasi u lirua nën hetim.
Noble udhëtoi rreth gjashtë orë drejt Norfolk sapo mori lajmin për arrestimin. Pas një informacioni të brendshëm, ai u pozicionua pranë stacionit të policisë në Aylsham, ku tashmë ndodheshin edhe disa gazetarë të tjerë.
Pas më shumë se gjashtë orësh pritjeje në errësirë dhe pa asnjë zhvillim, fotografi vendosi të largohej drejt hotelit. Por vetëm pak minuta më vonë mori telefonatën se makina e Andrew po dilte nga stacioni. Ai u kthye me shpejtësi dhe arriti të kapte momentin kur dy makina u larguan.
Nga gjashtë fotografi që realizoi, vetëm një rezultoi e suksesshme: në të shihet ish-princi i mbështetur në sediljen e pasme, me duart e bashkuara lirshëm. Dy foto tregonin vetëm policinë, dy dolën bosh dhe një ishte jashtë fokusit.
Sipas Noble, fotografimi i një makine në lëvizje kërkon “më shumë fat sesa gjykim”, duke theksuar se edhe me planifikim dhe përvojë, gjithçka duhet të përputhet në momentin e duhur për të kapur një imazh që bëhet histori./L.F-dritare.net