Drejtoresha e ISHP: Nuk ka më pacientë te Covid-3 dhe 4. Ja qytetet më të prekura aktualisht!
Dritare.net
Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tha sot në mbledhjen e Komitetit teknik Të Ekspertëve se rastet e reja me Covid-19 në vend janë në zbritje. Ajo bëri bilancin e ditëve të fundit ku tregoi se situata ka një përmirësim të lehtë. Një lajmi i mirë është se në spitalet Covid-3 dhe 4 nuk ka më pacientë.
“Mesatarja ditore e rasteve të diagnostikuara pozitivë ka zbritur në 172, nga mbi 200 që ishte. Numri total i rasteve aktive është 25 668. Mbetet raporti meshkuj-femra 48-52%, ndërsa është ndryshe numri i vdekjeve. Spitalet Covid-3 dhe Covid-4 nuk kanë pacientë për momentin, por janë në gatishmëri të plotë. Një indeks tjetër është edhe ulja e vdekshmërisë, e cila nga 50 në një javë më parë, ka shkuar në 25. Vijojmë me vaksinimin paralele. Një ndryshim i qenësishëm ka qenë dhe rezultati i rasteve të reja në disa vende. Tirana ka një numër të rasteve aktive të larta, duke pasur parasysh dendësinë e popullsisë, por vihet re se për gati 2-3 javë Gjirokastra, Berati dhe Korça vijnë pas me numër të larta rastesh, por që ne po i mbajmë në vëzhgim”, tha Fico./l.F-dritare.net