Basha: Fasoneritë drejt mbylljes, qeveria i bëri paratë tenderë
Dritare.net
Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka shkuar sot në një fasoneri në Fushë-Krujë. Pronari i fasonerisë i tha Bashës se, nga 60 punëtorë, vetëm 11 e kanë marrë pagën e luftës. Ai u shpreh se janë të detyruar të heqin nga puna 32 punonjës.
Qytetari: Vetëm 11 kanë marrë pagën e luftës. Edhe pse ime shoqe është eksperte kontabël dhe i ka bërë vetë aplikimet nuk kanë marrë gjë. Nga 60 vetëm 11 e kanë marrë pagën. Jemi detyruar që të heqim nga puna 32 punonjëse. I kam çuar letrat edhe te zyra e punës, por s’kam marrë përgjigje. Nuk e dimë nëse do të na dëgjohet zëri apo jo.
Basha: Ata s’kanë as sy për të parë dhe as vesh për të dëgjuar këto halle.
Qytetari: Se di mua më bë shumë çudi që njerëzit nuk trajtohen si duhet në këtë vend.
Basha: Po të kishin pasur pak zemër për këtë punë… Ju paguani 12 mln euro në muaj taksa. Sikur ato para t’i kishin kthyer për të mbështetur punonjësit, ju nuk do të kishit ardhur në këtë ditë. Jeni goditur dy herë. Edhe nga problemi i COVID-19 edhe nga tregjet që janë shkatërruar për shkak të krizës. Kësaj i dilej përpara duke paguar punonjësit, duke rritur konsumin dhe të mos detyroheshe të hiqje njerëz nga puna. Kostoja do të ishte 30 milionë euro në 2 muaj, por ai prish Teatrin Kombëtar, çon 30 mijë euro atje dhe mbyll 70 mijë vende pune. Kjo është kriminale.
Ndërkohë, pronari i një fasonerie tjetër i tha Bashës se ka hequr nga puna shumë punëtorë, pasi ishte i detyruar. Ai shprehu shqetësimin se problemi i zero ndihmave nga qeveria i ka efektet e shtrira në kohë.
“Problemi ka për të qenë në vazhdim. Po t’i shikosh, dikush që punonte para një jave, sot nuk punon më. Mund të jenë 6-7 ndërmarrje që janë mbyllur 2 ditët e fundit. Paketat nuk ishin fare për ne, pa asnjë ndihmë financiare. Nga 160 vetë vetëm 13 kanë marrë ndihmë. Kam shkurtuar shumë vende pune, më vjen keq, por isha i detyruar. Ishte thikë me dy presa. Na lanë hapur, për të na lënë pa asnjë ndihmë. Vetëm nga marsi i ardhshëm mund të rimëkëmbemi dhe pa një ndihmë financiare është shumë e vështirë”- u shpreh pronari i fasonerisë.
Ndërkohë Basha tha se: “Arsyeja pse nuk ju kanë mbështetur është se këta nuk kanë ndarë para për ekonominë. Kanë vazhduar tendera koncesione, PPP, si të ishim në kohë normale. Lekët që duhet të vinin tek ju, i kanë çuar atje. Kjo është arsyeja pse e gjithë ekonomia, e gjithë industria është në vështirësi, në veçanti ju dhe turizmi.”/K.C/dritare.net