
A u larguan përfaqësuesit e SHBA pranë SPAK? Si përgjigjet Ambasada amerikane në Tiranë!
Dritare.net
Përfaqësuesit amerikanë që ishin në ndihmë të SPAK janë larguar. Kështu ka lënë të nënkuptohet Ambasada amerikane në Tiranë.
Vendimi ka ardhur pasi sekretari i Shtetit, Marco Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim USAID, pasi do të rishikohet.
“A janë larguar përfaqësuesit amerikanë që SHBA kishte sjellë për të mbështetur SPAK-un?”Ka qenë kjo pyetja që emisioni “Opinion” i ka drejtuar përmes e-mailit zyrës së marrëdhënieve me publikun të Ambasadës amerikane, përgjigjen e të cilën gazetari Blendi Fevziu e ka lexuar në studio.
Blendi Fevziu: Elida Marvataj i ka dërguar një e-mail zyrës së marrëdhënieve me publikun të Ambasadës amerikane, në të cilën i pyet që pas deklaratave të kryeministrit se përfaqësuesit amerikanë që SHBA kishte sjellë për të mbështetur SPAK-un janë larguar, pyetjet kanë qenë:
-A janë larguar ekspertët amerikanë që kanë ardhur në Shqipëri për të mbështetur SPAK-un?
-Nëse po, a lidhet largimi i tyre me vendimin e Presidentit Donald Trump për ngrirjen e fondeve për institucionet shqiptare, apo ka një arsye të tretë?
Përgjigjja është: Ju faleminderit për pyetjen. Ju referojmë tek deklarata për shtyp e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit. Sekretari Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim USAID për shqyrtim. Ai po fillon me rishikim të të gjithë programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA-së nën axhendën “Amerika e para”.
Presidenti Trump deklaroi se SHBA nuk do të japë më verbërisht para që nuk sjellin asgjë për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare në emër të taksapaguesve që punojnë fort, nuk është thjeshtë gjëja e duhur për t’u bërë, por është një detyrim moral.
Mandati i popullit amerikan ishte i qartë, ne duhet të përputhemi me interesat kombëtare amerikane, departamenti dhe USAID marrin shumë seriozisht rolin e tyre si kujdestarë të dollarëve të taksapaguesve. Çdo dollar që shpenzojmë, çdo politikë që ndjekim dhe çdo program që financojmë, duhet të justifikohet me 3 pyetje të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurtë? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?
Zyra e marrëdhënieve me publikun e ambasadës së SHBA.

















