Nexhmije Hoxha, letër veteranëve: Këtë 29 nëntor ju uroj Festën!
Dritare.net
"Të dashur bashkëluftëtarë veteranë të luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare!
Ju përshëndes nga zemra për festën e 73 përvjetorin e Çlirimit të Shqipërisë e ju uroj si pjesëmarrës në këtë epope të lavdishme të popullit shqiptar.
Pavarësisht nga vuajtjet në këto dhjetëvjeçarët e fundit, ne jemi krenarë që rrojtëm në një kohë të artë, ku morëm pjesë në një luftë heroike, ku dhamë vitet e rinisë sonë për Çlirimin e Atdheut.
Po shokët e shoqet tona dhanë jetën e tyre të re, e ende pa dashuruar e krijuar familje. Prandaj, gjithë veteranët e Shqipërisë të re e të çliruar janë ndjerë borxhlinj ndaj 28 mijë dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kanë punuar me vullnet shembullor duke bërë çdo sakrificë për mbrojtjen e fitoreve të popullit shqiptar e të gjakut të dëshmorëve të tij, përjetësisht të paharruar e të nderuar.
Askush dhe askurrë, nuk do të mundin të hedhin në errësirën e harresës fitoret e Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare, sakrificat luftëtarëve të saj, as duke u hequr dekoratat e tyre, titujt e gradat e kryeveteranit të veteranëve, Enver Hoxhës e shokëve të tij.
Në mbyllje, edhe një herë, uroj shoqet e shokët e mi veteranë, të kenë jetë të gjatë e të qetë, me shëndet të mirë e gëzime në familjet tuaja." Me dashuri dhe respekt, e mbyll Nexhmije Hoxha, letrën e saj drejtuar veteranëve./ Dritare.net