Nevoja për protestë, arsyeja e vërtetë dhe “kërpudhëngrënësit” e opozitës

Nga Nertil Jole

Nuk është e rastësishme që protesta e 16 shkurtit kulmoi për sinergjinë dhe sinkronizimin mes dy forcave kryesore të opozitës, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Siç nuk ka qenë e rastësishme që këto dy forca politike ishin bashkë në koalicion qeverisës edhe në 21 Janar 2011.

Ndryshimi i vetëm është rokada në kohë dhe pasojat e dy protestave. Sot janë në opozitë e mes bashkëprotestuesve të tyre nuk pati asnjë të lënduar nga plumbat, ndërsa dje kur ishin në pushtet mes protestuesve të palës kundërshtare mbetën katër njerëz të vrarë. Mjafton ky bilanc për të kuptuar diferencën.

Por çfarë i bashkon në fakt këto dy forca politike në nevojën e papërmbajtur për të rrëzuar me çdo çmim e mjet kundërshtarin politik?

Shumë analistë, nga ata më të shquarit që pushtojnë ekranet për të ndriçuar qytetarët mbi mënyrën sesi duhet të mendojnë e gjykojnë, do shpreheshin se Berishën, Bashën dhe “Zonjën e Parë” i bashkon dashuria për Shqipërinë, ose manifesti politik dhe vizioni i përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të zhvilluar e të mbështetur në vlera perëndimore, në kontekstin e një Shqipërie të vogël por tejet të stërlodhur nga paudhësitë e përsëritura, natyrisht “aspak” për faj të kësaj kaste “atdhetarësh” që sot drejton opozitën.

Ndërkohë që në Angli protestohet në çdo qytet për ngrohjen globale, në Shqipëri protestohet për Berishën, Bashën dhe Monën. Padyshim që kam respekt për çdo protestues paqësor, por nuk mund të mos kesh vëçse mëshirë për çdo “kërpudhëngrënës” që mësyn institucionet e shtetit.

Do të kishte qënë një analizë sipërfaqësore, sikur thelbi i diskursit publik në raport me protestën të ngelej tek forma, pra nëse ishte apo jo një protestë e dhunshme, nëse i duhej nxjerrë dufi strehës së kryeministrisë apo kërpudhës së artistit Carsten Holler.

Po kaq sipërfaqësor do të kishte qënë edhe aludimi se protesta të ngjashme ndodhin edhe në Europë, prandaj nuk ka pse të mos ndodhin edhe në Shqipërinë tonë, sa kohë ne duam të integrohemi në Bashkimin Europian. A thua se me integrim duhet të nënkuptojmë solidarizimin me dhunën, kudo ku ajo ndodh. Edhe pse askund në Europë nuk ka ndodhur që shansin për të organizuar protesta, ta kenë ata që kur kanë patur pushtetin për të qeverisur kanë dhënë urdhra për të qëlluar protestues paqësorë. Kjo sepse në shtete me demokraci të konsoliduara, nuk është vetëm sistemi që ndëshkon politikanët të cilët kryejnë veprime në tajkalim flagrant të ligjit, por është e gjithë shoqëria që të kryqëzon moralisht e nuk të le asnjë shteg që të pretendosh të rimarrësh pushtetin, pasi atë e ke shpërdoruar njëherë.

Prandaj ata që aludojnë për protesta simotra nëpër Europë, përpara se të bëjnë krahasime për formën në përpjekje për të justifikuar dhunën, duhet fillimisht të kuptojnë përmbajtjen e tyre. Dhe përmbajtja fillon nga protestat që mishërojnë frymë dhe që ngjizen nga vetë njerëzit. Pra nuk e kam fjalën për frymën e një protestë që buron nga mushkëritë e ish kryeministrit, e kam fjalën për një protestë që buron nga vetëdija e fortë personale e secilit qytetar për të pretenduar e kërkuar me zë të lartë një jetesë më të mirë.

Protesta e datës 16 shkurt, sado e konsiderueshme të ketë qënë për nga numri i protestuesve, e këtu shpreh respekt për çdo protestues paqësor që ndodhej në atë tubim, ajo nuk mund të quhet protesta e qytetarëve, siç u përpoq dëshpërimisht t’ia servirë opinionit publik lidershipi i opozitës. Edhe nëse mes atij tubimi ka patur protestues që kishin dalë të panxitur politikisht, por prej arsyeve të tyre ligjitime, fuqia e manifestimit paqësor të tyre në rastin më të mirë u zbeh nga aktet e dhunës së një grushti mercenarësh, ose në rastin më të keq u mor peng nga organizatorët, që i kishin ftuar në një protestë paqësore, por që sipas tyre Edi Rama papritmas e ktheu atë nga Vlora në një protestë të dhunshme.

Duhet kurajo e madhe personale dhe politike, cilësi të cilën lideri de juro i opozitës e mishëron më së miri, që të gënjesh deri edhe mbështetësit e forcës tënde politike sy për sy. T’i ftosh ata të ngrenë zërin e revoltës së tyre në një protestë paqësore dhe në fund t’i përdorësh thjesht e vetëm për të sajuar një lojë të fëlliqur politike që njollos fytyrën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në emër të urisë për pushtet të “treshes simpatike” që rrethohej edhe nga portrete të tjera të spikatura të elitës së shoqërisë shqiptare që kanë lënë gjurmë, ose më saktë gjēma, në historinë e tranzicionit, siç mund të veçoja për shembull aleatin e madh të tyre Fatmir Mediun, por edhe shumë anëtarë të tjerë që janë pjesë e këtij enturazhi që synon të rimarrë fatet e Shqipërisë në dorë.

LEXO DHE :  Zgjedhjet Europiane/ Arba Kokalari, mbesa e Musine Kokalari shqiptarja e parë që bëhet eurodeputete

Qëllimi i protestës mendoj se lidhet me arsyet e vërteta të sulmeve të orkestruara drejt kryeministrit dhe qeverisë.

Si qytetar, në asnjë rast nuk do kisha dëshiruar që Shqipëria të kishte një opozitë jo vitale, e cila nuk punon dhe investigon me sens vigjilent e kritik punën e qeverisjes, apo që nuk ngulmon me forcën që i ka deleguar në parlament një pjesë e popullit, për të përdorur çdo instrument demokratik e për të ushtruar ndikimin e saj konstruktiv në proceset shtetformuese, apo që ofron minimalisht disa alternativa konkurruese në spektrin e politikëbërjes.

Por fatkeqësisht, gjendemi në situatën më kritike të mundshme, që nënkupton inekzistencën e një opozitë të denjë ose akoma më keq, ekzistencën e një opozitë të padenjë.

Personalisht mendoj se arsyet janë të lidhura, pikë së pari me ecurinë e reformës në drejtësi dhe e dyta me pafuqinë për të besuar se mund të fitojnë pushtetin me votë. Në këto kushte, rruga efektive sipas saj është ajo e dhunës dhe rebelimit artificial, duke shpresuar se njerëzit do jenë të gatshëm të bëjnë revolucion për të sjellë në pushtet edhe njëherë ish kryeministrin dhe ish ministrin e brendshëm të 21 Janarit, për të mos vijuar me lumin e akuzave të tjera që rëndojnë për këtë dyshe helmuese të ngulitura tashmë në mendjen e çdo shqiptari, të paktën deri ditën kur drejtësia do të veprojë.

Pikërisht për arsyet e mësipërme, ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi është në fakt një zhvillim i cili ka lëkundur themelet e imunitetit real që kjo kastë ka konsoliduar ndër vite për të mbrojtur veten nga moria e paudhësive që i ka bërë vendit e kësaj shoqërie ndër vite, e që pak e nga pak po fillon të shembë murin e pandëshkueshmërisë, mur i cili ka penguar jetësimin e aspiratave të qytetarëve të ndershëm që punojnë e shpresojnë çdo ditë për për të jetuar në një Shqipëri më të drejtë e që garanton një të ardhme më të sigurtë, sidomos për brezin e ri.

Asnjëri nga këta idhtarë të demokracisë nuk ka ditur kurrë të afrojë intelektualë dhe një ekip që mund të diskutojë seriozisht për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, kulturën, demokracinë, shtetformimin, artin, cilësinë e jetës, shërbimet, konsolidimin e pavarësisë së institucioneve, fuqizimin e shoqërisë civile, respektimin e të drejtave mes palëve në pluralizëm, apo shumë e shumë arsye të lidhura kryesisht me sistemin që garanton një bashkëjetesë normale shoqërore e që respekton në çdo rast diferencën e mendimeve pa qënë nevoja të shkatërohet apo dhunohet me vandalizëm mesjetar pasuria e përbashkët. Por fatkeqësisht gjithmonë kanë ditur të afrojnë vetëm servilë, injorantë, rrugeçër e deri personazhe qesharakë që jetojnë e punojnë për të polarizuar bashkëjetesën mes shqiptarëve deri në ekstrem.

Ishte evidente që në shesh vetë protesta kishte dy palë. Ishin ata që iu bashkuan thirrjes së drejtuesve të opozitës me mendimin për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë në mënyrë paqësore dhe pala tjetër që u mundua ta përdorë këtë pjesë për të krijuar destabilitet shoqëror, me qëllimin e vetëm për të vonuar apo penguar zbatimin e reformës e drejtësisë, që është në fakt edhe “thembra e Akilit” e hallit të kësaj opozite të dalë boje.

Për fat të keq, ashtu siç pritej, kjo pjesë e vogël dominoi dhe i dha orientimin protestës duke e degjeneruar atë në dhunë. Kësisoj, protesta nuk arriti të përcjellë asnjë mesazh demokratik për qeverinë, siç arriti të përcillte për shembull protesta model e studentëve. Aq më pak kjo protestë arriti të përcjellë ndonjë mesazh për shoqërinë dhe faktorin ndërkombëtar, që edhe njëherë rilexuan arsyet e vërteta të këtij organizimi, që vetëm interesat e qytetarëve nuk kishte qëllim të përfaqësonte./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.