Murrizi: Parlamentarët janë gati të bëjnë çdo gjë për të mos lënë karriget
Dritare.net
Murrizi deklaron se ka shumë deputetë që nuk dëshirojnë të lëshojnë karriget parlamentare duke iu fshehur përballjes së drejtpërdrejtë me qytetarët dhe kjo është arsyeja që kërkojnë sistemin aktual.
“Janë gati të bëjnë çdo gjë, por vetëm të jenë rehatuar vetë në karriget e Parlamentit. E pse të mos preket sistemi zgjedhor? Pse duhet të fshihen si ‘vemje’ deputetët përpara votës së qytetarëve? Ky sistem zgjedhor është totalisht i dështuar, edhe për atë qëllim që ‘gjoja u bë'”, deklaron Murrizi.
Ai thotë se futja në parlemanet e krimineleve për që të hartohej edhe ligji i dekriminalizimit.
“Nga viti 1991-2009, përfshi edhe dy palë zgjedhje nën grykën e armëve dhe të kontrolluara nga bandat si ato të 1997 dhe 2001, kurrë nuk ka pasur deputetë në kuvend trafikantë, tutorë, drogaxhinj, hajdutë makinash e batanijesh. Pas këtij ligji që u mashtrua se sillte në kuvend ‘elita’, për herë të parë pas 26 vitesh pluralizëm, lindi nevoja për një ligj extra të dekriminalizimit të Kuvendit, për të hequr nga kuvendi të inkriminuarit. Po të jetë votimi me lista të hapura ku qytetarët të votojnë emrin e atij që duan të kenë përfaqësues të tyre, asnjë kontingjent e llumhanë nuk futet kurrë në kuvend”, thekson deputeti i PD.
Murrizi shprehet se sistemi aktual zgjedhor duhet ndryshuar dhe se deputetët duhet t’i zgjedhin qytetarët dhe jo kryetarët.
“Ky ligj kurrë nuk sjell maxhorancë nga vota e qytetarëve, prandaj nga ky ligj ka pasur qeveri të pazareve. Turp për të gjithë ata që tallen me gjënë më të shtrenjtë që kanë qytetarët në demokraci, votën e tyre! Turp dhe frikë për të gjithë skuthat dhe vemjet politike, që kërkojnë të vegjetojnë në kuvend, pa u votuar nga qytetarët. Deputetët duhet t’i zgjedhin qytetarët e jo kryetarët e partive”, deklaron Murrizi.V.D/Dritare.net/