Stuhi në bregdet/ Bashkia Vlorë apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet!
Dritare.net
Qendra ciklonike e pozicionuar në gadishullin Apenin po zhvendoset drejt brigjeve të Adriatikut duke ndikuar stuhi dhe erë të fortë në vendin tonë. Shqipëria do të jetë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike ndikuar nga masa ajrore të lagështa me origjinë jugperëndimore.
Situata më e përkeqësuar duket në qytetin e Vlorës, i cili është “pushtuar” nga stuhi të forta. Kjo ka bërë që bashkia e Vlorës të dalë me një paralajmërim për qytetarët duke u kërkuar të bëjnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme me automjete në akset problematike.
Moti në vijim parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura si dhe alternime kthjellimesh të herëpashershme dhe afatshkurtra. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht në periudha afatshkurtra në formën e shtrëngatave.
Duke filluar nga orët e pasdites dhe kryesisht ato të mbrëmjes në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndim reshjet do të jenë me intensitet mesatar deri dhe të lartë në formën e rrebesheve shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë me drejtimin jugindje – jugperëndim dhe shpejtësi mesatare 1-10m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era do të jetë tepër intensive me shpejtësi që arrin deri në 15-22m/s çfarë do të sjelli edhe dallgëzim të lartë në det me forcën 5-7 ballë.
Mesdita e së shtunës do të sjellë mot të kthjellët në territorin shqiptar, me vranësira dhe reshje të pakta. Pjesa e dytë e së shtunës dhe të dielës, premtojnë mot të kthjellët me temperature të ngrohta./L.F-dritare.net