Mospërfshirja e specialistëve të fushës në Agjencitë Shtetërore, garanci e munguar për çdonjërën prej tyre!
Dritare.net
KM në mbledhjen e saj të fundit miratoi ndër të tjera dhe emrat e Anëtarëve të Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Me miratimin e ligjit të ri "Për Kadastrën", u shkrinë në një insitucion të vetëm, ALUIZNI, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka) dhe Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP), ndërsa Institucioni i ri do të quhet paskësaj Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Me keqardhje (e jo veç unë) konstatova se në përbërje të këtij këshilli të rëndësishëm, i cili do të vendosë kohë pas kohe për AKSH çështje të rëndësishme e jetike, të cilat prekin drejtpërsëdrejti secilin prej nesh, nuk ishte përfshirë asnjë specialist i fushës.
Asnjë emër nga avokatia, noteria, shoqata e ekspertëve të pasurive të paluajtshme, etj, grup i aktorëve realë, në fakt, që ndjekin e vijojnë punën çdo ditë me problemet e pronave përveçse.
Ndërsa 28 vite rradhazi shumë syresh këtu rreken ende të ndreqin problemin e pronave përmes një kalvari tejet të mundimshëm me kosto të të gjitha llojeve në rrugë administrative apo gjyqësore, duke shpresuar ditë pas dite t'i japin kuptim përpjekjes së tyre lidhur me zgjidhjen e problemit (njohjes, kthimit, rregjistrimit, mbivendosjeve, origjinës, apo legalizimit të pronës), specialisti i fushës do të ish domosdoshmëri në këto hallka, duke qënë kyci a cëlësi i zgjidhjes së çdo problemi, garanci e suksesit të këtyre strukturave posacërisht.
Nuk është rasti i parë në fakt e me shumë gjasë nuk do jetë as i fundit, që specialistët, nuk përfshihen në këto grupime, ndërsa përfaqësues të ministrive (s'dihet pse), kryesojnë në çdo rast këto struktura.
Për këtë arsye jam skeptike sërish dhe për këtë fakt, që problemet e rënda me pronat posaçërisht si dhe kalvari i gjatë i mundimeve të çdo qytetari këtu, nuk do të mund të gjejnë zgjidhje dhe paskësaj./dritare.net