Nga Bashkim Shala*
Shtatë vjet më parë, pikërisht me 09 prill të vitit 2009, Claude Jacquot, ish-deputet në Asamblenë Nacionale të Francës në vitet 1997-2002, por edhe i Parlamentit Europian, i njohur si mik i shqiptarëve, por në veçanti i tropojanëve, u ka dhënë këtyre të fundit një porosi në një takim në Tropojë të Vjetër. Duke përdorur një fjalë të urtë franceze ku Claude Jacquot kishte parasysh lumin Valbona, e krahasoi këtë lumë me pulën që bën vezë të arta dhe ajo kurrsesi nuk duhet therur. “Ne në Francë kemi një shprehje që nuk duhet ta therësh pulën që prodhon vezë të arta”, tha Claude Jacquot në praninë e pushtetarëve vendorë të Tropojës në prillin e vitit 2009. Porosia e mikut nga Franca ka qenë e sinqertë, pasi Claude Jacquot njihet edhe si mik i kombit shqiptar. Jacquot ka qenë i vetmi nga deputetët francezë në Parlamentin Evropian, i cili ka kërkuar që Kosova të fitojë të drejtat e saj si shtet i pavarur dhe sovran. Në Asamblenë Kombëtare të Francës ai ka kryer detyrën e sekretarit të grupit të shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri dhe sekretar i grupit parlamentar për Ballkanin. Me këto atribute ai ka vizituar Shqipërinë në krizën e Kosovës në vitin 1999, ku ka zhvilluar takime në kampet e refugjatëve në Durrës e Elbasan. Ai ka vizituar disa herë Tropojën në periudha të vështira për këtë rajon. Qëllimi i këtyre vizitave ishte lidhja më e fortë në mes francezëve e shqiptarëve dhe ndryshimi i imazhit të kësaj zone në opinionin francez e më gjerë. Ja çfarë deklaroi ai në prill të vitit 2009 për rrezikun që mund t’i kanosej luginës së Valbonës. “Mendoj se lugina e Valbonës është shembulli tipik i këtij zhvillimi. Në momentin që rruga për në Valbonë të ketë përfunduar, normalisht që edhe investitorët do të afrohen.
Pas përfundimit të infrastrukturës rrugore, ka edhe një problem që është mjaft i rëndësishëm. Investimet që po bëhen në këtë zonë të mos lejohen që të bëhen në mënyrë të çrregullt, sepse do të humbasin vlerat e kësaj perle natyrore. Të mos ndodhë si në plazhet e Shqipërisë që ka investitorë, që vërshojnë të bëjnë biznesin e tyre, të fitojnë para pa e vrarë mendjen për vlerat. Në lidhje me luginën e Valbonës duhet të ketë një projekt shumë të studiuar dhe të punuar mirë, sepse ajo është një luginë shumë e rëndësishme jo vetëm për zonën, është e rëndësishme për Shqipërinë, ndoshta edhe për turizmin evropian. Prandaj duhet të ketë një projekt të punuar mirë që Europa të investojë duke ruajtur edhe vlerat. Pra, atje ka një të ardhme ekonomike të shkëlqyer si krahinë, por duke iu rikthyer edhe një herë ndërtimeve pa kriter, ne në Francë kemi një shprehje që nuk duhet ta theresh pulën që prodhon vezë të arta dmth., atje duhet të bëhet kujdes, sepse nëse zhvillohet një turizëm i shfrenuar dhe i çrregullt, do të shkatërrohet mjedisi atje. Megjithatë, unë them që kur infrastruktura ekziston dhe shohim që biznesi është fitimprurës, investitorët vijnë”, deklaroi Claude Jacquot në prill të vitit 2009. Por, mesazhi i mikut të Tropojës, që i është gjendur kësaj treve në ditët e saj më të vështira ka rënë në vesh të shurdhër si të qeveritarëve, por edhe të pushtetarëve vendorë, pikërisht atyre të komunës Margegaj, të pranishëm në takimin me delegacionin francez, ku shtatë vjet më vonë bashkë me qeveritarët qendrorë kanë “therur pulën që prodhon vezë të arta”, pra kanë dhënë leje në bashkëpunim për ndërtimin e më shumë se 10 HEC-eve që dëmtojnë rëndë ekosistemin në lumin Valbona, duke dëmtuar njëherësh edhe parkun natyror të Valbonës. Por, Valbona ishte “pika e vlimit” në masakrën mjedisore në Shqipëri. Prej vitesh në emër të kthimit të Shqipërisë në një superfuqi rajonale energjetike janë lëshuar dhjetëra koncesione, pa kursyer zonat e mbrojtura, deri edhe parqet kombëtare, siç është rasti i lumit Valbona. Edhe në zonën e Kukësit janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen një numër HEC-esh në zonat e mbrojtura, ku qeveria ka shkelur ligjet që vetë i ka miratuar. Pesë hidrocentrale që janë ndërtuar në lumin Luma në njësinë administrative të Zapodit në Bashkinë e Kukësit janë në kundërshtim me ligjin.
Ndërtimi i tyre është bërë dhe vazhdon të behet në kanionin e Vanave, i shpallur monument i natyrës shqiptare, ndërkohë që një tjetër hidrocentral është ndërtuar në kanionin e Grykës së Çajes, edhe ky i shpallur monument i natyrës shqiptare. Devijimi i lumit Luma nga ndërtimi i HEC-eve ka dëmtuar rëndë ekosistemin e zonës, saqë gjarpërinjtë u janë sulur shtëpive të fshatarëve në kërkim të ujit. Një dëm i rëndë mjedisor, madje pa hezitim mund ta konsiderojmë krim mjedisor, janë lejet minerare. Në emër të korrupsionit të mbuluar me mantelin e rritjes së eksportit, ministra të Ekonomisë, kryesisht në ditët e fundit të mandatit kanë lëshuar dhjetëra leje minerare. Aksionerë të këtyre firmave janë deputetë, fëmijë politikanësh, të përzierë me trafikantë droge, ku këta të fundit e thonë me mburrje se janë të tillë. Keto firma, apo “mafia e mineraleve” kanë shkatërruar dhjetëra hektarë me pyje e kullota, duke dëmtuar rëndë ekonomitë familjare të banorëve të këtyre zonave të varfra dhe duke krijuar HOT-SPOT-e të reja, ku deri tani janë shënuar dëme në sektorin e blektorisë, ndërkohë që për shëndetin e njerëzve nuk interesohet askush, madje janë burgosur ata që kanë ngritur zërin dhe kanë protestuar. Masakrat mjedisore ndodhin pikërisht në një kohë ku administrata që merret me mjedisin është më e fryrë se kurrë. Në qarkun e Kukësit funksionojnë tri agjenci që kanë për detyrë vetëm mbrojtjen e mjedisit, siç janë Agjencia e Mjedisit, Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve dhe Ujërave dhe Agjencia për Zonat e Mbrojtura. Ndërkohë që mjedisi shkatërrohet, Shqipëria është nder vendet e para që ka nënshkruar dhe më pas ka ratifikuar në vitin 2000 Konventën e Aarhusit.
Qëllimi i konventës është që të kontribuojmë në mbrojtjen e së drejtës së çdo individi të brezave të sotëm e të ardhshëm, për të jetuar në një mjedis të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij. Konventa e Aarhusit garanton të drejtën e publikut për të pasur informacion për mjedisin, për të marrë pjesë në marrjen e vendimeve mjedisore si dhe për t’u ankuar në gjykatë për çështjet e mjedisit. Megjithëse në letra plotësohen, në asnjë rast publiku që preket as nuk është informuar, as nuk është pyetur kur vjen puna për impaktet negative që shkaktojnë në mjedis koncesionet e HEC-eve dhe ato të mineraleve.
*Autori është gazetar i të përditshmes “Koha Ditore” Kosovë, ku raporton mbi ngjarjet për Shqipërinë.