Mister Tim, një amerikan në Tiranë, në klasën e parë
Dritare.net
Tim është mësuesi i vajzës sime, në klasë të parë.
U stepa , kur mësova se Alana do kishte mësues të klasë se parë një burrë, amerikan.
Ne vijmë nga kultura e klasës me shoqe e të njohur, ku mësuesja ishte patjetër gruaja e dajës se shokut të djalit të tezes.
Këtu të gjithë i kemi njohur të gjithë.
Ndaj doja të njihja mësuesin e vajzës sime dhe i kërkova një intervistë.
Sepse, sado ndihem në dashuri dhe sintoni me globalizmin, kur vjen puna te vajza, jam thjesht nënë si dy gjyshet e Alanës.
Me droje, dyshime, frikëra, meraqe, ëndrra dhe ankth.
Alana studjon prej kopshtit në të njëjtën shkollë. WAT.( World Academy of Tirana)
Por asnjëherë nuk kam menduar se tani që e çova, e di shkolla çfarë bëhet me të.
Me pëlqen filozofia e shkollës. Kjo është çfarë kam dashur gjithmonë. Ta rris si një njeri të lirë, te përqafojë më të mirën e botës dhe japë më të mirën e saj.
Debatoj me Dritanin, babin e Alanës që nuk është gjithmonë dakord me mua, kur them e di vetë Alana. Dhe duke debatuar, mësojmë edhe ne të përmirësojmë prindërimin.
Tani jemi të dy, bashkë me Alanën, të tre në klasë të parë. Kemi 1000 pyetje. Dhe ca prej tyre i ndava me mësuesin e Alanës, mister Tim.
Kam mangësi në punën vullnetare ne shkollë, nuk shkoj të ndihmoj sa duhet dhe mbase kjo është një mënyrë për të kontribuar, t'ju njoh më shumë me mësuesin e klasë së parë në WAT, Tim Brown dhe te ndajmë herë pas herë në dritare.net, ca histori njerëzore të bukura me mësues, nxënës dhe prindër.
Kështu do na duket, sikur rikthehemi në kohë, kur të gjithë i njihnim të gjithë./dritare.net
Tim Brown: Kur fëmija është në klasë të parë, prindërit dhe mësuesi janë, të gjithë, në klasë të parë
Intervista
Rudina Xhunga - Mr. Ti ju gjithnjë keni dashur gjithmonë të jeni mësues?
Tim Brown- Jo, i ri doja të bëhesha aktor. Por ishe e vështirë. Sot është me e thjeshtë të bëhesh aktor, por unë kur shkova për herë të parë në shkollë më duhej të performoja në vende të ndryshme muzikore në rrugët e Broadway-t, në Nju Jork.
Merrje shumë refuzime dhe dashuri aspak, kështuqë unë u bëra udhëzues në një librari publike në lagjen time dhe fillova të punoja duke ndihmuar fëmijët të gjenin librat për kërkimet që do bënin, librat që mund të pëlqenin të lexonin. Kështu nisi dashuria ime për komunikimin me fëmijët.Dhe vendosa të diplomohem për t'u bërë mësues. Ishte një zgjedhje logjike, jo e sforcuar.
Doja të bëhesha aktor dhe të ndaja dëshirën për letërsi fëmijët. Çfarë më duhej të bëja për t’i bërë këto dyja bashkë? Më natyralja ishte të bëhesha mësues. Të kem audiencën e studentëve të mi, vetëm kështu mund të ndaja dashurinë për letërsinë, me ta.
Rudina Xhunga -Sa vite mësuesi?
Tim Brown- Ky është viti 22 që unë jam mësues. Duke u kthyer pas në Amerikë, 21 vjet më parë, unë kam dhënë mësim vetëm për klasën e katërt.
Rudina Xhunga - Kështu që është hera e parë në klasë të parë?
Tim Brown -Po, është hera ime e parë që po i jap mësim klasës së parë. E dua klasën e parë, sepse është shumë ndryshe. Njohja me ta i ka kaluar pritshmëritë e mia. Klasa e parë është ndryshe nga çdo klasë tjetër, sepse vazhdimisht fëmijët kanë nevojë për vëmendjen tuaj, e duan vëmendjen, kështu është thjesht të mësosh sesi të gjesh mënyrën e përkryer për t’i mbajtur ata të motivuar, t’i mbash të vëmendshëm në klasë.
Rudina Xhunga - Ju e kujtoni klasën tuaj të parë? Ishe bukur, apo vështirë?
Tim Brown- Po, kam pasur mësues të mrekullueshëm në klasë të parë, por shkolla nuk ishte vendi im i preferuar, ishte e vështirë, ishte si një detyrim i madh për mua, dhe thjesht ndjeva se nuk ishte vendi i duhur ku unë mund të tregoja se kush isha, dhe ka qenë e vështirë. Por kisha mësues të mirë, që më bënë të besoj në vetvete, të cilët më ndihmuan të besoj që mund t’ia dal.
Rudina Xhunga - Pra i kujtoni mësuesit e klasë së parë, e dini sa të rëndësishëm janë ata në jetën e një fëmije të vogël?
Tim Brown- Unë i kujtoj me dashuri mësuesit e mi të klasës së parë. Mendoj që mësuesi është shumë i rëndësishëm për fëmijët e klasës së parë, sepse është pikërisht momenti kur ata fillojnë të zhvillojnë dashurinë e të mësuarit, dhe mendoj se është e rëndësishme t’u tregosh sa ju kujdeseni për ta.
Mendoj nëse i tregon fëmijës që kujdesesh për të, dhe se je i lumtur që e ke në klasë, kjo do ta bëjë më të hapur dhe frika nga mësimi e ndërveprimi do ju largohet.
Rudina Xhunga- A kanë fëmijët probleme me ngacmimet në klasë. A nisin që në këtë moshë problemet me bulizmin? Nëse ju ankohen, çfarë do të bëni?
Tim Brown- Mendoj se do flas me ta, çfarë po ndodh. Do gjej kohë të flas me ta dhe do kërkoja që në shkollë të kishte një zyrë psikologjie. Gjithashtu do pyes fëmijët çfarë ndjejnë brenda dhe të ndërgjegjësohen si ta nxjerrin jashtë. Të komunikojnë. Dhe do ndërgjegjësoja fëmijët që të mos fokusohen te bulizmi, as shpërqëndrohen prej tij, por të kthehen në klasë për të mësuar, pa menduar çfarë do thonë të tjerët, për ta.
Rudina Xhunga - Ishte shume bukur, kur lexova rregullat e klasës suaj. Vajza ime m'i tregoi që ju vendosët bashkë të keni rregullat e klasë së parë.
Tim Brown -Rregullat e klasës sime të parë janë diçka që unë dhe fëmijët i krijojmë dhe vendosim sebashku. Dhe po sëbashku i zbarotojmë. Këto kanë të bëjnë me të folurën me radhë, të ngrenë duart, për te kërkuar radhën, se kështu mund të flasin me njëri-tjetrin.
Një tjetër është që gjithmonë të përpiqen të japin më të mirën.
Por dhe nëse nuk e jep, është në rregull, sepse është përpjekur dhe kjo ka rëndësi. Asgjë nuk është perfekte. Politikat strikte, nuk i bëjnë fëmijët të ndihen të sigurtë, kur vijnë në shkollë, dhe ajo që mendoj tjetër për fëmijët është të jenë të sjellshëm me të tjerët dhe veten.
Rudina Xhunga-Një tjetër gjë që më pëlqeu ishte komunikimi me prindërit, sepse edhe ne jemi në klasë te parë , tani dhe kemi nevojë të mësojmë.
Tim Brown -Një gjë e rëndësishme që prindërit duhet të dinë është të mbajnë hapur, gjithmonë, derën e komunikimin me mësuesin, sepse prindi, mësuesi dhe fëmija, kanë nevojë të jenë të unifikuar që fëmija të jetë i suksesshëm. Dhe të kenë një respekt për njëri-tjetrin.
Kur kujtoj Amerikën, mendoj se mësuesit i respektonim shumë. Për mua është një zhgënjim i madh që fëmijët të mendojnë se mësuesi nuk është një njeri i rëndësishëm. Këtu nuk e kam ndjerë këtë gjë, jam ndjerë i vlerësuar nga prindërit, nga shkolla, dhe nga nxënësit.
Rudina Xhunga- Ju jeni një njeri shumë i rëndësishëm për vajzën time dhe familjen e saj. Ne kemi shumë pritshmëri nga ju.
Tim Brown -Oh, faleminderit! Mendoj që është e rëndësishme të kesh një pritshmëri të tille, nga gjithë fëmijët dhe unë besoj që duhen mbështetur pritshmëri e tyre të mëdha.
Sepse ti i ndihmon ata të jetojnë pritshmëritë, dhe ata do të duan të bëjnë atë që ti u kërkon. Mendoj që është e rëndësishme të kesh atë pritshmëri, jo vetëm për të mësuar por edhe për të jetuar.
Rudina Xhunga - Pse e latë Amerikën?
Është një pyetje e mirë. Në Amerikë unë kam dhënë mësim për 21 vjet, derisa një çast, u bë gjithçka rutinë, dhe mendova se nuk mund ta bëj më mësuesin.
E ndërpreva dhe udhëtova në Europë. E dashurova kulturën europiane. Para udhëtimit tim kisha menduar se dhënia e mësimit nuk ishte ajo çfarë unë duhej të bëja, dhe se kisha nevojë të gjeja diçka tjetër për t'ju kushtuar.
Pastaj mendova; jo, të jem mësues është gjithçka unë jam, mësuesia është diçka që të buron nga zemra. Ti mund të dish gjithçka për fëmijët, për edukimin, por nuk je domosdoshmërisht mësues. Mësuesia nuk vjen nga diploma, mësuesia vjen nga zemra. Vendosa të vazhdoj të jem mësues dhe fillova të dërgoja CV time në disa shtete.
Rudina Xhunga- Pra Shqipëria ju zgjodhi juve, jo juve Shqipërinë?
Tim Brown -Mendoj që Shqipëria më zgjodhi mua, dhe e besoj plotësisht këtë.
WAT mu përgjigj pozitivisht, por nuk kishte vend vakant.
Dhe unë thashë në rregull, dhe u tregova të shkuarën time si mësues, pastaj pozicioni i lirë për mua u gjet.Më pyetën si mendon për të qenë mësues i klasës së parë.
Zemra filloi të më rrihte fort dhe nuk e prisja. U thashë OK, nëse do shkoj në shkollën që dua, familja ime, shokët , do të krenohen me mua që po e nis nga e para, në një vend tjetër.
Rudina Xhunga- Familja juaj është me ju në Tiranë?
Tim Brown -Jo jo, jetoj vetëm këtu.
Rudina Xhunga - Është e vështirë?
U bënë dy muaj që jetoj këtu dhe vështirësia e parë është gjuha, të të mungojë shtëpia është e vështirë, por jam i rrethuar me njerëz të mrekullueshëm këtu dhe Mirlinda , Gladi, të gjithë këta njerëz që kam njohur më kanë bërë të besoj që shkolla është familja ime.
[video width="480" height="480" mp4="http://dritare.net/wp-content/uploads/2018/09/WhatsApp-Video-2018-09-24-at-02.45.11.mp4"][/video]
Mendoj që jam pjesë e diçkaje vërtet të bukur dhe ndjeva se këtu është vendi im, ata më zgjodhën mua për një arsye dhe shpresoj të realizoj pritshmëritë e tyre. Pavarësisht barrierave që kam me gjuhën, të gjithë njerëzit janë shumë ndihmues, kanë pranuar prezencën time këtu dhe thjesht e dashuroj këtë gjë.
Në fillim ishte një sfidë, por fëmijët janë shumë të dashur dhe prindërit më kanë mbështetur. Jam i emocionuar nga sfida. Kjo ishte një sfidë që më ka hapur mendjen, që të jap mësim në klasën e parë.
Rudina Xhunga - Më pas do i shoqëroni këta fëmijë në klasat e tjera?
Tim Brown- Nuk e di çfarë na pret në të ardhmen, por fillimisht dua që të bëj mirë, këtë qe po bëj tani.
Rudina Xhunga - Si funksiononte në Amerikë?
Tim Brown- Ndonjëherë mësuesit lëviznin në klasa të tjetra, por jo shumë shpesh. Më të shumtën e kohës, mësuesi i jepte mësim vetëm një klase, ashtu sikurse unë i kam dhënë mësim klasës së katërt për 21 vjet.
Rudina Xhunga - Ka shumë ndryshim mes shkollës suaj atje dhe këtu?
Tim Brown- Po, ka. Në Amerikë klasa ime e katërt kishte 28 ose 30 nxënës dhe bëja vetë gjithçka. Me nxënësit e klasës së katërt, 30 fëmijë, me aftësi dhe dëshira të ndryshme. Këtu kam 14 nxënës në klasën time.
Rudina Xhunga - Ju keni dhënë mësim në shkollë publike?
Tim Brown- Po. Në shkollat publike, fëmijët kanë muzike, edukim fizik,kompjuter, por një here në javë, ndërsa këtu ka muzikë, kompjuter, edukim fizik, kërcim, art, gjuhë frënge e gjermane, dhe kanë plot gjëra të tjera që mund të bëjnë . Këtu fëmijët janë shumë me fat që kanë gjithë këto gjëra.
Të gjithë ne po mësojmë diçka ndryshe, dhe jemi në funksion të larmishmërisë, sepse nëse dikush është shumë i mirë në matematikë, por disa në lexim apo të tjerë brilantë në muzikë, duhen ndihmuat të zhvillojnë aftësitë që kanë. Unë e dashuroj mënyrën sesi kjo shkollë inkorporon këto fusha të veçanta, sepse u jep mundësi fëmijëve të zgjedhin atë që duan.
Rudina Xhunga - Pra ju tani jeni lidhur me filozofinë e kësaj shkolle?
Tim Brown- Filozofinë e shkollës, ishte pikërisht ajo që më tërhoqi, kur aplikova. Mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptosh se shkolla ka një vizion dhe se ka diçka të veçantë nga shkollat e tjera.
Rudina Xhunga - Po prindërit çfarë duhet të bëjnë për të qenë pjesë e kësaj filozofie?
Tim Brown- Mendoj që është e rëndësishme të pranojnë fëmijën për atë që është. Nëse nuk di matematikë apo të lexojë akoma, mbështeteni, se me kalimin e kohës do mësojnë.
Është e rëndësishme të dinë se fëmijët zhvillohen në kohë të ndryshme, dhe jo duke i krahasuar me fëmijët e tjerë. Lërini të jenë kush ata janë.
Rudina Xhunga - Komunikoni mirë me ta? Ju flisni vetëm anglisht ne klasë.
Tim Brown -Mendoj që fëmijët në klasë e flasin anglishten shumë mirë. Ndonjëherë kur i shikon teksa vazhdojnë të flasin anglisht, mundohen të përshkruajnë më shumë që unë ta kuptoj, menjëherë përgjigjen; oh, e ke fjalën për këtë. Ose ju them një fjalë anglisht dhe u kërkoj ta gjejnë ne shqip. Komunikimi nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën.
Është e rëndësishme që mësuesit të njohin fëmijët, përpara se të fillojnë t’i mësojnë ata. Të dinë kush janë dhe çfarë bagazhi kanë. Duhet të interesohen për jetën e tyre dhe ata te besojnë se mësuesja apo mësuesi do interesohet për të. Vetëm pasi të kenë bërë këtë, mund të fillojnë të mësojnë fëmijët.
Rudina Xhunga -Ndërkohe, krahas mësimit, mund të vazhdojnë të luajnë dhe jetojnë fëmijërinë?
Tim Brown - Lojërat janë pjesë e rëndësishme e ditës, kanë nevojë që të eksplorojnë dhe kohë për të përdorur imagjinatën. Është koha kur ata fillojnë të mendojnë për gjërat. Prindi duhet ta udhëzojë duke i thënë për mua kjo është mënyra e duhur, por jo duke i vendosur mendjen në një kuti. Nëse mendja e fëmijës futet në kuti, ata nuk do mund të dalin më kurrë prej saj. Prandaj është e rëndësishme që fëmijët të marrin kohën e tyre duke lozur, pastaj do kenë kohë për të mësuar.
Shqipëria është familja, shikoj shumë familje bashkë. Shikoj mamin, babin, gjyshërit, dhe fëmijët që punojnë si familje, dhe është e këndshme të shikosh një gjë të tillë.
Kur i shoh tek i marrin nga shkolla, mendoj sa mirë ju bën fëmijëve kjo vëmendje.
Puna në familje është puna më e bukur.
Këtu është shumë e dukshme sesi prindërit kujdesen për fëmijët. Është shumë ndryshe nga Amerika. Këtu kujdesen shumë për fëmijët. Kjo shkollë është përfundimisht një familje. Kur u punësova këtu, të gjithë njerëzit që më kontaktuan më thanë mirë se erdhe në familje. E dija që kam bërë zgjedhjen e duhur, ose Shqipëria ka bërë zgjedhjen e duhur, ose shkolla ka bërë zgjedhjen e duhur. Mendoj se jam këtu për një arsye.
[video width="480" height="480" mp4="http://dritare.net/wp-content/uploads/2018/09/WhatsApp-Video-2018-09-24-at-04.05.25.mp4"][/video]
Rudina Xhunga- Unë kisha shumë nevojë t'ju njihja, ndaj kërkova këtë intervistë, jo thjesht si gazetare, por si nena e një fëmije ne klasë të parë.
Tim Brown-Mendoj që vajza juaj është e mrekullueshme. Kam pritshmëri për të gjithë fëmijët dhe kam pasur kohë mjaftueshëm në këto javë t’i shikoj fëmijët si reagojnë, si i shikojnë dhe vlerësojnë mësimet që marrin. Unë jam i qetë, për mënyrën sesi duan të mësojnë sepse të gjithë kanë mënyrat të ndryshme. Unë mendoj që vajza juaj është shumë mirë, po i merr mësimet shpejt. Dhe po ia del shumë mirë. Jam i kënaqur që më pyetët. Dhe jam i hapur të komunikoj me të gjithë. Ju keni nevoje të dini, cili është mësuesi e fëmijës suaj të çmuar. Unë kam nevoje të di, cilët janë prindërit e nxënësve të mi, të klasë se parë. Sivjet, jemi të gjithë në klasë të parë./dritare.net