Ministrja Xhaçka feston 8 Marsin me gratë dhe vajzat ushtarake: Jeni shembull i përkushtimit
Dritare.net
Gjithashtu ministrja Xhaçka u shndërrua në zërin e disa nga grave dhe vajzave ushtarake shqiptare, të cilat pavarësisht vështirësive, përmes sakrificave, kanë arritur t’ia dalin mbanë. “Sot, simbolika e kësaj dite është shumë e fuqishme, për të bashkuar mendjen, zërin dhe forcën tonë, për t’u dhënë zë të gjitha grave, kudo qofshin ato.
Veçanërisht sot, do të doja të isha zëri i Vehbies, i Vehbie Kurtit, e cila ndodhet sot këtu në këtë takim, mes 400 grave e vajzave. Vite më parë ajo erdhi nga zonat e largëta të Peshkopisë për t'u anëtarësuar në Forcat e Armatosura e për të na përfaqësuar denjësisht edhe në strukturat e NATO-s.
Do doja të isha zëri i majore Merita Allmuçës, e cila përballon e vetme jetën me dy fëmijët, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit;
Do doja të isha zëri i nënkolonele Arta Drizës, nënës shkodrane të tre fëmijëve, që krahas misionit të saj si ushtarake, na ka nderuar me përfaqësimin cilësor të saj, si shahiste në disa aktivitete ndërkombëtare.
Do doja të isha zëri i Enkelejda Tyrkut, që ia la foshnjën prindërve për të kontribuar pranë strukturave të NATO-s për paqen në Afganistan.
Do doja sot të isha zëri edhe i më shumë se 1 mijë e 300 grave e vajzave të Forcave të Armatosura, të cilat çdo ditë luftojnë mes misionit të të qenit grua e nënë, mes kufizimeve e sakrificave të profesionit,në emër të sigurisë së familjeve të tyre e të mijëra familjeve shqiptare e jo vetëm.”
Të pranishmit i përshëndeti edhe gruaja e parë gjenerale në Forcat e Armatosura, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Manushaqe Shehu, e cila inkurajoi gratë dhe vajzat për të ecur përpara dhe për të bërë karrierë në FA.
Në aktivitet foli edhe ushtarja e tretë Kristina Dajko, e cila është bërë vitet e fundit pjesë e Forcave të Armatosura, çka tregon për mjedisin miqësor që është rikrijuar tashmë në strukturat ushtarake shqiptare, edhe për gratë e vajzat.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ministrja Xhaçka u kujdes t’u dhuronte nga një lule me urimin përkatës mbi 1300 grave dhe vajzave që shërbejnë në Forcat e Armatosura. Shqiptare.V.D/Dritare.net/