Ministre, ngrije zërin, se s’të dëgjoj

Nga Luna Ruvina

“Ik, ik, se jam në mbledhje”, dëgjoj një pjesëmarrëse t’i thotë dikujt në telefon, ndërkohë që nuk e pashë sikur edhe një minutë të vetme ta begeniste mbledhjen. “Fol, fol, s’ka gjë”,-i përgjigjet po ajo pjesëmarrëse dikujt tjetër, me buzët vesh më vesh. Ndërkohë që ca nëpunës të lodhur bëjnë sikur vijnë vërdallë për të gjetur ca karrige më shumë, për të akomoduar shumë më pak pjesëmarrës se sa priteshin në këtë mbledhje të planifikuar prej më shumë se një muaji, pjesëmarrësja e telefonit mbaron punë edhe me ca njerëz të tjerë, ca duke i marrë në telefon e ca duke u shkruar mesazhe. Më në fund, pasi vijnë anëtarët e panelit, nga ai më anonimi deri te dora vetë, ministrja, fillon edhe mbledhja.

Jam ulur diku nga fundi dhe përpiqem të kap ndonjë fjalë të ministres, por është e pamundur, madje nuk dalloj as ndonjë ulje-ngritje intonacioni. Kam frikë se as ajo nuk arrin ta dëgjojë zërin e vet, por kjo nuk duket të shqetësojë askënd. Dikur, dikush po këtej nga fundi, u çua në këmbë, duke u zgjatur i gjithi me shpresën se do të arrinte të merrte vesh diçka, por dikush tjetër, që mesa duket ishte më lart në hierarki, e pa aq vëngër, sa edhe unë u frikësova. Ai i pari u ul dhe nuk e pashë të ngrinte më kokë. Aty, nga gjysma e mbledhjes, dikush që mori fjalën pyeti panelin nëse ishte kuorumi i nevojshëm për të vazhduar me mbledhjen. Ministrja, së cilës ia do puna të kujdeset për kësi punësh, urdhëroi të ndërpritej mbledhja në mënyrë që ata të lodhurit që vërdalloseshin andej-këtej në fillim të na numëronin. Siç pritej, kuorumi u konfirmua se ishte aq sa duhej. Uh, mund të vazhdonim.

LEXO DHE :  Horoskopi i datës 20 korrik 2019

Ministrja, pa lëvizur as edhe çerek note nga toni i saj ministror, vazhdoi të kryesonte mbledhjen me monologun e saj. Nja dy të huaj aty afër meje, që me sa mora vesh më vonë, ishin ekspertë të paguar për menaxhimin e miliona eurove të BE-së për të asistuar pikërisht takime si ky, mundoheshin të merrnin vesh ç’bëhej. Kishin me vete një përkthyes, por dyshoj se ka marrë vesh gjë edhe përkthyesi. Tema kryesore që ishte pjesë e axhendës dhe objekti i asistencës multimilion euroshe të BE-së nuk u prek kurrë. Vështirë e kam të besoj se do të preket edhe në mbledhjen e ardhshme. Po edhe nëse preket, vështirë të marrë vesh njeri ç’thuhet. E megjithatë, unë as i hyj asaj teme, se nuk e njoh e as më duket me shumë interes, por po të mos kisha me ç’të merresha, do doja të pyesja këtë ministren e ca të tjerë si ajo “E ke vërtetë të pamundur të sforcohesh sadopak që këta njerëzit këtu të të dëgjojnë apo thjesht nuk të intereson nëse të dëgjon njeri?”. Përveç kësaj, pyes veten “A do ishte e tepërt të parashikohej si kriter që kushdo që zgjidhet apo emërohet në poste që kërkojnë komunikim me më shumë se sa me veten e vet, të ketë apo të mundohet të gjejë mundësinë që të dëgjohet?”

Rastësisht e takova një të huaj që kishte qenë i pranishëm në mbledhje dhe më tha: “Ç’të bëj që jam i huaj, pa të isha në vendin tim, ku as e imagjinoj të ndodhte një gjë e tillë, do ngrihesha e do t’i thosha: “Më falni, zonja Ministre. Nuk ju dëgjoj.”/ Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.