Më vjen turp që jam djalë në Shqipëri!

Nga Isa Myzyraj

Unë ndihem sot me turp që jam djalë në Shqipëri.

Më vjen turp sepse një tjetër djalë nga Kavaja në emisionin “Dritare me Rudinën”, duke komentuar ngjarjen e tmerrshme të përdhunimit të një vajze vetëm 14-vjeçare tha: “Vajza ka ikur nga shkolla dhe ka bërë çfarë ka dashur jashtë shkollës. Vajzën duhet ta edukojë familja.”

Më vjen turp jo që e tha një person nga Kavaja, por që e di që ka shumë si ai që e mendojnë një gjë të tillë.

Më vjen turp, sepse djemtë në vendin tim vrasin të dashuriat, nënat e fëmijëve të tyre vetëm pse i kapin duke bërë seks me dikë tjetër.

Më vjen turp, sepse djemtë në Shqipëri martohen, bëjnë fëmijë dhe ikin në emigrim lënë gratë e tyre të vetme, dhe kur kjo e fundit shkon me dikë tjetër ata nuk ngurojnë t’i publikojnë edhe videon në media.

Sigurisht që gruaja do të shkojë me dikë tjetër, kur ti e trajton si lodër dhe e lë 10-15 vjet duke të pritur. Kush je ti që dikush të të pres?

Më vjen turp, që shokët e mi në një bisedë 1 orëshe në kafe, 40 minuta flasin vetëm si e si të “kapin femra” e i trajtojnë ato vetëm si objekte seksuale.

Mos thoni që nuk është e vërtetë, e bëni të gjithë, këtë, në fjalinë e dytë të bisedës i thoni shokut: “Ke kapur ndonjë gjë?” për këtë më vjen turp.

Më vjen turp sepse nëse një djalë bën seks me 10 femra i thonë “bravo” e nëse një vajzë bën po të njëjtën gjë, i bëjnë gjyqin dhe minimum e quajnë “kurvë” e maksimumi do e varin. Ka ndodhur, mos thoni jo, ndodh akoma!

LEXO DHE :  S'ka pushime në Kosovë, zgjedhjet e jashtëzakonshme me 8 shtator

 

Më vjen turp që në imboksin e Dritare.net, dy javët e fundit kanë ardhur qindra e qindra mesazhe nga lloj lloj burrash (u thënçin burra) ku thonë se nëse femra kapet në shtat me dikë, ta varim, ta vrasim, ta zhdukim.

Më vjen turp që akoma në periferitë e vendit tonë, por edhe në qytete, vajzat martohen me dëshirën e babait, apo nënës.

Më vjen turp të shikoj këdo që e trajton femrën në këtë vend si pronë, e që fatkeqësisht janë shumë.

Më vjen turp, kur shoh të lindin një vajzë sepse e di, e di mjaft mirë se çfarë do të heqë e gjora në këtë vend maskilist, burrash të dobët e përdhunuesish. Por  ngushëllohem me faktin që dashtë zoti deri sa të  rriten ato, ky vend të ndryshojë mendim, të ndryshoje qasjen ndaj femrës.

Më vjen turp që komshia ime punon 8 orë në fabrikë, por burrin e ka pijanec tek shtëpia, dhe një zot e di çfarë ndodh Brenda atyre mureve..

Përtej se më vjen keq, dhe ta themi shqip më këputet shpirti, më vjen turp që gratë në vendin tim akoma vriten, akoma rrihen, akoma duhet të marrin leje tek burri për të bërë këtë e atë gjë.

Më vjen turp, se si trajtohet femra në vendin tim. Qenia që sjell vetëm jetë, ajo qenie e dhimbshme që përcjell vetëm dashuri e buzëqeshje, ajo që vetëm përcjell ngrohtësi në këtë vend burrash të ftohtë e të lajthitur.

Të na vijë turp të gjithëve, djemve, burrave shqiptarë nëse ka ngelur ndonjë i tillë./dritare.net

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.