Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Më prit!

Më prit!

Nga Dorina Hoxha

Fluturojnë mendimet dhe si poleni i luleve kërkojnë të shumohen ndër vete, mendimi sjell mendimin pa kuptuar që akrepat nuk na presin. Jeta marshon për të sfiduar lëkundjet, tundimet, sakrificat dhe përpjekjet ndërsa jashtë stinët zëvendësojnë njëra-tjetrën.

Bota që unë i përgjigjem është kaq e thyeshme sa edhe botë nuk mund të quhet, nuk e di se si ta quaj, por është një gjë që vërtitet rreth fluides së një syri dhe ndjesisë së një tik-taku.

Bota, si një koncept që përfshin vizionin, perceptimin e brendshëm dhe të jashtëm të një individi është e larmishme po aq sa edhe vështrimet që bien mbi të shkarazi.

Jeta është loja më e bukur që në kohë të vështira na tregon se sa fort ne e marrim seriozisht atë. Ka ende vend për shpresë në rrugëtimin tonë, edhe atëherë ku çdo gjë duket si e pakthyeshme dhe e tjetërsueshme. Nuk ka vend për mëshira të kota në botëperceptimin e askujt, për aq gjatë sa na duhet ta sfidojmë jetën edhe nga perspektiva e të varfrit  dhe vdekjes. Jeta është një udhërrëfyes pa shënime, ku e vetmja shenjë dalluese është të mos e marrësh seriozisht atë.

Jeta të zgjon pikërisht në momentin kur po dehesh nga përkohshmëria e saj, mësimi që të jep është një shenjë  që pikturohet gjatë në kujtesë. Si mund ti qeshësh jetës kur ndër sy fluiditeti i trishtimit lëshon diamante kripe?! Veten nuk e bind për të kundërtën se jetës duhet ti qeshësh kur të bën për të qarë, thjesht lë trishtimin të më bind, të më rëndoj e kërrusur supet.

Jashtë makinat vërshojnë si një lumë trafiku ku çdo botë në dukje e njëjtë është kaq e ndryshme nëse e sheh të zmadhuar nga promotori i një zemre që punon pa u lodhur. Jeta  është e egër nëse ti i qëndron mërzitshëm e nëse e sheh  me butësi ajo me fytyrën e një engjëlli të përgjigjet krejt padjallëzish. Kemi djaj të burgosur sonte  se engjëjt kanë zbritur të zbusin atë botë që na ngatërron e na përlesh me djajtë e vetvetes. Nëse do të lutesha sonte ta zbusje botën time, e ndër engjëj të më përgjumje do t’i mblidhja diamantet prej kripe të syve e do ti bëja trëndafila, që si unë çdo shpirt t’i dilte përball së djeshmes duke i thënë:- “ Më prit !”…

Lulja, e vetmja e vërtet që zgjat pak, e ngjashme me përfytyrimin që ne njerëzit si qenie të vdekshme kemi për parajsën. Lulet, ngjyrat dhe ndjesitë e gëzueshme ne ja atribuojmë parajsës. Lule Andrre të kesh në prehër  një copës qiell që vjen të shoh se si botëperceptimi prek tastat për t’u materializuar. Ti bëhu i fortë dhe duaj, se një ditë ky qiell vrenjtet dhe prej tij mund të bien rrebesh e të thyejnë kthjelltësinë tënde, botën tënde, diamantet e t’u bëhen  edhe më të kripur seç ishin. Ndaj shijo dhe luaj me jetën, qeshju asaj  siç ajo të përgjigjet se vetëm kështu nuk do ndihesh i zhgënjyer në botën tënde, nuk do presësh në pragun e së shkuarës për të pritur të ardhmen, por do të përpiqesh të bësh një buqetë me trëndafila për gjithë hidhërimet dhe të presësh me buzën në gaz deri sa ato të thahen e të thuash sërish: “Më prit”/dritare.net