Më mirë 100 studentë në shesh, se 10000 militantë!

Nga Dritan Hila

“Fantazia ne pushtet”, ishte një nga parullat e lëvizjes së ‘68-ës.

I drejtohej një klase politike e cila me kostumet dhe sjelljet e saj ngjante e vjetëruar.

Nëse rikujton se drejtohej kundër njerëzve që kishin mundur fashizmin dhe themeluar Bashkimin Evropian, ngjan si shumë apokrife.

Ngjan se më shumë sesa thelb, protestuesit kërkonin një imazh të ri. Çka do të sillte atë që po vuajmë sot: udhëheqës që më shumë rendësi i kushtojnë imazhit të qeverisjes, sesa thelbit të saj; më shumë kujdes për humorin e turmave, sesa politika afatgjata.

Por ajo lëvizje solli edhe një troshitje të establishmenteve të fosilizuara, hyrjen e të rinjve në politikë dhe bërjen e politikës më njerëzore.

Dhe qeverisja Rama është shembull përfaqësues i imazhit si gjithçka dhe brendisë si asgjë.

Por diferenca mes ‘68-ës dhe 2018-ës shqiptare është se ata që presin të përfitojnë nga kjo lëvizje janë të njëjtët që kanë qeverisur 28 vite.

Dhe përballë tyre ,Rama ngjante një hap para, ndërsa opozita shqiptare duket demode ose jashtë kohe.

Përfaqësues të saj të veshur me golf, apo fustane  firmato , nuk e fshehin dot vjetërsinë e saj, apo snobizmin provincial. Ashtu sikurse e njëjta gjë është tek pozita, ku koketat e saj me flokë të hekurosura apo ndryshimin nga leckat e para pese vjetëve në firmat që nuk ju rrinë rehat në trup, te bëjnë të qeshësh e qash.

Por këtë e mbulon Rama si One Man Show.

Gjithë këtë snobizëm dhe cektësi të kësaj klase politike e zhveshi protesta e studentëve. Protesta e fundit e studentëve shqiptarë, ishte një shembull sesa shumë përpara ka ecur brezi i 20 vjeçarëve të sotëm. Me slloganet, memet, parullat e tyre, na bënë të kuptonim se mes një Shqipërie ku ekranet dhe jetën publike e kanë zënë dinosaurër e politikës, aty në hije është rritur një brez evropianësh të rinj.

Ky brez tregoi sesa e vjetër është klasa politike shqiptare; se edhe pse disa prej deputetëve janë të rinj në moshë, ata janë lindur po aq pleq sa mentorët e tyre; sesa hajdutë demode janë shumë prej tyre dhe sesi asnjë figurë e rreshtit të parë të politikës shqiptare nuk duhet më të përfaqësojë shoqërinë shqiptare.

LEXO DHE :  Meta për Al Jazeera: Nuk ka zgjedhje me 30 qershor, vendimi im kushtetues

Që në fillimet e saj, kësaj proteste ju bashkëngjitën partitë politike.

Për fat, në ditët e para, nuk ia dolën t’i japin tonin dhe ngjyrën.

Me kalimin e ditëve, ndërhyrja e partive të opozitës u bë edhe më agresive.

Ishte një përpjekje e tyre për të vjedhur lëngun dhe fantazinë rinore të protestës që entuziazmoi shqiptarët.

 

Dhe militantë 70 vjeçar dialektorë, apo koktope mitingjesh po shfaqen gjithmonë e më tepër. Gjithmonë e më tepër mbizotërojnë militantë që u zbythën para 5 vjetëve nga shqiptarët pikërisht për arrogancën, tashmaqarllëkun dhe makutërinë e tyre, të cilët presin të ri hyjnë në zyrat në të cilat i kanë zëvendësuar një tufë inkopetentësh të rilindjes.

Në fakt janë ndihma më e madhe për Ramën.

Kështu po ia zvjerdhin shqiptarëve këtë protestë të fëmijëve të tyre.

Të dëshpëruar për mbijetesën e tyre, partitë e opozitës po ndihmojnë në fakt Ramën, i cili edhe pse në shterim të fantazisë së tij, gjithsesi ngjan më ndjellës në sytë e publikut.

Këtë të hënë , protesta më shumë se e studentëve , duket se do jetë e partive politike.

Do të preferoja më shumë 100 studentë në shesh, sesa 10 mijë militantë.

Rama ka frikë studentët. Militantëve ua ka marrë dorën. Por mesa duket edhe pse armiq në dukje, Rama dhe opozita po ia dalin të shuajnë lëvizjen e studentëve.

Rama duke i lodhur me tezën sterile që t’i çojnë përfaqësinë, ndërsa opozita me gërryerjen nga brenda për t’i marrë lëvizjes, limfën dhe imazhin.

Por nëse kjo lëvizje do të shtohet si opozitare, por shuhet si studentore, dhe do dështoje, ata që do humbasin do të jenë studentët.

Shpresoj që kjo mos të ndodhë  dhe të shohim prapë sllogane dhe meme që aq shumë na pëlqyen në këto ditë dimri, sesa slloganet boshe të një opozite që po pret të hyjë prapë në zyra dhe zhvasë çfarë kanë mbetur nga koncesionet 10 vjeçare të Ramës./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.