Tërmeti me magnitudë 4.9, flasin ekspertët: Janë pasgoditje normale!
Dritare.net
Në një lidhje telefonike për Opionin, sizmologu Rrapo Ormeni tha se ky tërmeti është në vijimësi të pasgoditjeve nga tërmeti i 26 nëntorit në 2019-ën.
“Ishte një tërmet me magnitudë 4.9 të shkallës rihter në zonën ku ka rënë dhe tërmeti i 26 Nëntorit, i cili u shoqërua dhe me një pasgoditje tjetër me magnitudë 4.2 rihter. 4.9 është lëkundje që ndihet, e atij niveli që kanë rënë edhe pas 26 nëntorit. Kanë veçoritë e tyre, në momente të caktuara vjen tendenca në shuarje por do ketë dhe të tilla.
Kuptohet që në asnjë rast nuk mund të parashikosh në mënyrë të saktë si është vijueshmëria. Në mënyrë statistikore, ato kanë ardhur duke u zvogëluar, por herë pas herë ka rënë dhe ndonjë me magnitudë më të madhe”, tha sizmologu Rrapo Ormeni.
Edhe inxhinierja Luljeta Bozo ka thënë se nuk duhet të shqetësoheni sepse nuk do të ketë tjetër më të fuqishëm.
“Nëse shtëpitë nuk kanë pasur asnjë dëmtim, ose gjëra të vogla njerëzit të kthehen brenda. Nuk besoj që do ketë të tjerë. Kurse ata që i kanë të dëmtuar shtëpitë nuk kanë pse të rrinë brenda. Nuk ka kuptim të rrinë brenda. Një shtëpi e dëmtuar, një goditje e tillë e përkeqëson gjendjen. Ku ka dëmtime të rënda nuk duhet rrezikuar. Ne si inxhinierë nuk e llogarisim fare. Kështu që nuk është një energjie e tillë që shkakton dëm të strukturës. Kuptohet kur ndërton sipas rregullave", ka thënë ajo./E.B-dritare.net