Dita 4: Fuerteventura - Arrecife, Lanzarote
Një ditë e re ku duhet të hamë shpejt mëngjes e të bëhemi gati se 9:00- 16:30 është guida në vendet më interesante të ishullit.
Pasi lamë anijen dhe gjetëm një vend në katin e dytë të autobusit, pritëm sa të vinin të gjithë dhe u nisëm. Kombinimi njeri mbi 60 vjeç dhe gjerman, do të thotë përpikmëri në maksimum. Nëse na kërkohej që të ishim 30 minuta më herët në autobus, që të siguroheshim që çdo gjë ishte gati, treçereku i udhëtarëve ishin aty që 35 minuta më herët. Sidoqoftë, mësuam si funksionojnë disa gjëra dhe krijuam dhe ne vese të reja, hahaha.
Këtë udhëtim mezi e kam pritur sepse kisha dëgjuar edhe nga të tjerë, që Lanzarote ishte një ishull i veçantë dhe një botë e re për europianët. Mbushur me vullkane pasive të cilat ngjanin si male të zjarrta masive, shtëpiza të bardha me dritare të gjelbra ose kafe, të ndërtuara grupe-grupe në vende të parapërcaktuara nga bashkia, ballkone në majë të maleve vullkanike nga ku mund të shikoje sa bukur ndërthureshin valë malesh të zjarrta me valët e oqeanit Atlantik. Ne do vizitonim një majë vullkanike, një plazh me shkëmbinj vullkanikë, do përshkonim male të zjarrta njëri pas tjetrit, fusha të mbjella në mënyrë shumë origjinale me hardhi, një kantinë vere e në fund, shtëpinë e artistit që i kishte dhënë shumë famë këtij ishulli, César Manrique.
Nëse gërmoje pak në majat e maleve, do nxirrje kokrra “dheu” mjaft të ngrohta. Ishte e pamundur t’i mbaje në duar për një kohë më të gjatë se 3-4 sekonda. Ky ishte parku nacional i Timanfayas që kontrollohej periodikisht nga ekspertë për të parë ecurinë e vullkaneve. Pothuajse 80% e ishullit ishte e mbrojtur nga UNESCO dhe konsiderohej mrekulli e botës. Pushimin e drekës e bëmë në një restorant tipik të ishullit. Edhe kafen e pimë në një tarracë nga ku shikonim shtëpitë, malet e zjarrta dhe oqeanin.
Bimësia natyrore ishte shumë e paktë dhe pjesa më e madhe mirëmbahej e shtohej nga njeriu. Arsyeja? Shumë e thjeshtë. Këtu binte maksimumi 20 ditë në vit shi dhe ciceroni i autobusit e shprehu mjaft bukur, një gotë shi në vit. Ishulli furnizohej me ujë, turbinat e të cilit ishin të gjitha të vendosura në port.
15 km ishin të mbjella me hardhi, të cilat prodhonin 5 milionë kg verë në vit. Interesante është të shohësh si i kanë mbjellë dhe fakti që çdo rrënjë kërkonte kujdesin e vet. Nuk ishte i mundur përdorimi i ndonjë makinerie.
Ky udhëtim u mbyll në mënyrë fantastike me një vizitë në shtëpinë e artistit dhe arkitektit Manrique. Ai kishte ndërtuar një magji brenda një shpelle vullkanike, duke u kujdesur fillimisht që shpella të mos ishte e rrezikshme. Kishte pishinë, bare, një pellg me akrepa të verbër të bardhë, bimësi, ujëvara.
Thuhet që ai ftonte njerëz të famshëm çdo javë, të cilët mahniteshin me arkitekturën e veçantë të shtëpisë së tij.
Dita u mbyll në anije, me programacionin e darkës. Çdo mbrëmje menaxherja e argëtimit, Janine, ka programin e saj Prime Time, ku shfaqjet janë të një cilësie shumë të lartë. Pas orës 22:00 shumë zhvendosen në çatinë e anijes, ku ka Dj. e kokteile.
Lexohemi me aventurat e Cadiz.
I dashur ditar, qëndrofsh i shëndetshëm deri në shkrimin e radhës.
Përqafime, Edit‘h/dritare.net