Mbyllja e lojërave të fatit/ Ku jemi një vit më pas?
Dritare.net
Ligji i ri i cili ndalon ushtrimin e një sërë aktivitetesh të lojërave të fatit kishte si qëllim zhdukjen e varësisë së lojërave të fatit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me varësi dhe familjarëve të tyre, edhe ai nuk po arrin ta përmbushë këtë qëllim në terma total.
Tregu ilegal i lojërave të fatit është gjithnjë e më shumë në rritje edhe pse është duke u luftuar nga instancat përkatëse. Duhen duartrokitur aksionet e ditëve të fundit nga Policia e Shtetit, të cilët kanë goditur një sërë aktivitetesh ilegale në vendin tonë.
Por cilat janë pasojat e mbylljes së lojërave të fatit në mënyrë të shpejtë dhe të papritur sipas analizave studimore të ardhura nga Këshilli Shqiptar për Problemet e Lojërave të Fatit?
(Ndarja është bërë në bazë të grupimeve shoqërore)
Pasojat Pozitive:
- Të miturit – Duke qenë se ilegaliteti krijon pasiguri pjesa më e madhe e të miturve të cilët ishin implikuar në aktivitete lojërash fati është tërhequr duke u frikësuar nga forca e ligjit.
- Shtresa me probleme ekonomike ose socio-ekonomike – Duke qenë se personat e kësaj shtrese që luanin lojëra fati, luanin në shifra të vogla, pronarët e lojërave ilegale nuk rrezikojnë të zbulohen dhe për pasojë nuk rrezikojnë të ofrojnë shërbim në shifra të vogla sepse e gjykojnë se nuk ja vlen.
- Pjesa më e madhe e lojtarëve të makinerive elektronike – Duke qenë se kazinotë elektronike nëpër rrethe janë mbyllur dhe vetëm kazinoja në Tiranë e ushtron aktivitetin e saj, është e pamundur të luajnë nëpër qytetet përkatëse.
Pasojat Negative:
- Mbyllja e një pjese të madhe të lojërave të fatit e ardhur në mënyrë të shpejtë dhe e pashoqëruar me politika mbështetëse për lojtarët me probleme varësie, ka sjellë rritje agresiviteti në familje si pasojë e pamundësisë për të luajtur dhe e nevojës për ta kaluar ditën nëpër ambiente lojërash fati duke ushtruar dhunë fizike apo verbale te pjesëtarët e tjerë të familjes. Kjo situatë shpeshherë i ka çuar ata drejt veseve të tjera të rrezikshme.
- Shtresat me probleme ekonomike - Duke qenë se nuk mund të luajnë më shuma të vogla për shkak të refuzimit nga pronarët e lojërave, detyrohen të luajnë në shuma të mëdha duke krijuar gropa të mëdha ne financat e tyre apo familjes duke marrë borxh apo edhe kredi.
Sidoqoftë, kjo periudhë është periudha më e mirë për të reflektuar dhe ndryshuar mënyrën e jetesës për ata që kanë pasur dhe kanë probleme me varësinë e lojërave të fatit. Mbyllja e tyre ka ulur riskun e faktorit ambiental dhe duke qenë se nuk ka më lokale bastesh të dukshme apo reklama për të promovuar lojërat e fatit, këta persona në një farë mënyre nuk influencohen më për të shkuar të luajnë./dritare.net
Henri Telharaj, Drejtor Ekzekutiv “Këshilli Shqiptar për Problemet e Lojërave të Fatit”