Maragjyl

Nga Arlinda Çausholli

Kënga që po postoj, është shkruar dhe kompozuar nga Jonuz Gushta, një nga dajat e nënës sime, që ka lënë gjurmë si artist ne repertorin e këngës qytetare shkodrane. Kënga quhet Maragjyli.

Maragjyli është trëndafili i egër që rritet nëpër oborret shkodrane dhe si me “pahir” – më dukej mua – shpërndahej nëpër muret e rrugicave, si simbol i pasionit te pashtershëm të dashurisë, që pëshpëritej atëherë, aq sa shponte dhe muret.

Kur daja Jonuzi e këndoi Maragjylin për herë të parë, kujtoj të ishte dasmë. Dasmat atëherë ishin skena me e madhe e këngëve, sepse aty fillonte ahengu, dhe aty këndoheshin këngët e reja. Unë duhet të kem qenë shumë e vogël, sepse zotërinë që ishte ngritur në këmbë të përcillte këngën e re, e kujtoj të gjatë, e koka ime ngrihej shumë lart për ta parë. Kishte një beretë ngjyrë gri dhe një fizarmonikë që shkëlqente.

Mbaj mend që ky burrë fisnik i shpalosi pa ndrojtje ndjenjat e dashurisë dhe të gjithë e shihnin me admirim. Kujtoj se nuk pipëtinte asnjë zë.

Maragjylin, ia kushtoi publikisht Çepes, gruas së tij, një nga krijesat më të bukura shkodrane, sytë blu të së cilës unë i kujtoj akoma, edhe pse flokët e bardhë i ndrinin nën një shami po aq të bardhë.

Fjalët e përkora më të cilat përkundi Çepen dhe neve të gjithë, atë natë, edhe sot, ishin melodi për veshët e mi.

Dua të them, që me sa është e mundur, seleksiononi tekstet dhe këngët që dëgjojnë fëmijët e parritur akoma, sepse çfarë hyn nga veshi do të dalë nga goja….

LEXO DHE :  Rama i nis letrën e pestë Bashës: Shpresa vdes e fundit, kërkoj sërish dialog!

Maragjyli

Ti je yll i bukurisë

Qe lëshon rreze anembane

Ty natyra te ka stolisë

Rrumbullak, fytyrën si hanë.

Kaçurrelat në flokët e tu

Që mbajnë erën mollë e ftu

Ma don shpirti me i marr erë

E me I lëmu me dorë përherë

Sa t’jem gjallë e sa të rroj,

Unë gjithmonë do të kujtoj

Porsi yll i bukurisë,

O prej hovit të dashnisë.

S’të harroj deri sa të vdes,

Edhe rroj gjithmonë me shpresë,

N’ata sy të tuj mirësi,

Zemra jeme gjen qetësi.

Shko dallëndysh në fluturim

Atje larg te xhani im,

Thuji të më kujtojnë mu ndonjiherë,

Se rinohem si n’pranverë.

Mallin tim ti m’ia trego

Me gojë t’amël mi këndo

N’hije të njasaj bukuri,

Ulu ti për mu e rri.

Lumja Ti mori dallëndysh’

Shëtit mal e shëtit fushë

Sikur të kisha krahët e tu,

Mu te lulja paça me shku.

Maragjyli me kimet,

Mi marr në dorë e me e shti në xhep,

Saksi zemrën me ia ba,

Me e vadit me lot pa pra’

Ç’u dëshirova shumë me të pa,

Maragjyl me shumë sevda

Të gjeta në fusha tuj punu,

Në hije të shelgut

Tu u fresku.

Lumja Ti mori dallëndysh’

Shëtit mal e shëtit fushë

Sikur të kisha krahët e tu,

Mu te lulja paça me shku.

Mirënjohje të gjithë atyre që i kënduan me fisnikëri dashurisë dhe gruas njerëzisht./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.