E paprecedentë është konsideruar djegia e mandateve të opozitës, dhe lënia bosh e vendeve në parlament.
Por, që nga djegia e mandateve, kanë qenë kandidatë edhe nga radhët e PD, edhe radhët e LSI, në listat pasuese shumëemërore, të cilët tanimë kanë pranaur mandate ne deputetit.
Kur opozita dogji mandatet, u krijua një paqartësi se çfarë do të ndodhte me vendet bosh në kuvend, në momentin që asnjë kandidat nuk do të pranojë mandatin.
Prova e parë se çfarë do të ndodhë me mandatet në kuvend, kur asnjë kandidat i opozitës nuk e pranon atë, do të jetë pikërisht qarku i Kukësit.
Qarku i Kukësit është qarku me më pak deputetë, dhe përfaqësohet në kuvend me 3 të tillë.
Respektivisht, pas zgjedhjeve të 2017 deputetët e dalë nga qarku Kukës ishin, Mimi Kodheli nga PS, dhe Flamur Noka e Isuf Çela nga PD.
Por, me dorëzimin e mandateve të opozitës, deputeti Flamur Noka është zëvendësuar me Alban Zenelin i cili pranoi mandatin e deputetit.
Për të zëvendësuar Isuf Çelën në listë është kreu i PD së Hasit Miftar Dauti.
Dauti në një prononcim për “Dritare.net” ka thënë se nuk do ta pranojë mandatin e deputetit.
Kështu, në kushtet kur lista e kandidatëve të Partisë Demokratike mbaron, është ende e paqartë se kush do të jetë personi i cili do të zërë vendin vakant të një deputeti në këtë qark.
Një alternativë është që mandati t’i kalojë partisë Socialiste.
Nëse kjo gjë ndodh, pra, nëse KQZ i jep mandatin Partisë Socialiste atëherë kuvendit të Shqipërisë do t’i shtohet Safet Gjici i cili ndodhet i dyti në listën e PS në këtë qark pas Kodhelit./ Isa Myzyraj-Dritare.net