Nuk di më si jetohet pa të dhe ato sytë e saj që pyesin: “Po ti, do rrish një, apo dy ditë, pa mua?”.
Kur lexoj lajme burrash që vrasin gratë, mendoj për fëmijët që lënë pas ato fatkeqe.
Çfarë u thotë mendja, atyre që ju vrasin nënat?!
Si e ngrenë atë dorë, si e fusin atë thikë në një zemër nëne, si e lënë shtrirë në pellg gjaku dhe venë të largojnë fëmijën, që të mos shohë mynxyrën? Të mos shohë çfarë, kë? Po fëmija yt nuk do të shohë më asgjë, more i marrë, as do dojë, as do ndjejë, as do jetojë, se e vrave edhe tët bir, kur i vrave nënën.
Ke vrarë dhe fëmijën mor i vdekur, se edhe ti, nuk jeton më, veç në kujtime të liga dhe mallkime nënash.
Mallkuar qofsh dorë që ngrihesh mbi një nënë! Mallkuar o i mallkuar! Mallkuar kush e justifikon, se humbi punën, kishte pirë, merrte ilaçe, ajo e provokonte, ajo e tradhtonte, ajo nuk e donte.
Mallkuar kush e ndihmon të dalë nga ai burg ku u kalbtë, i vetëm dhe i sëmurë.
Kurrë mos daltë gjallë një burrë që vret nënën para syve të fëmijës. Edhe një gruaje që vret, do i thosha të njëjtat fjalë, edhe pse me zor e dhimbje do mallkoja një nënë.
Pse u dashka mëshiruar një grua a burrë që vret, se nuk flet?! Veç sot e kam me burrat, atë burrin që Migena i qeshte në foto dhe ai e theri, pastaj shkoi të qetësojë djalin: “Do vijë mami prapë!”.
Nuk vjen prapë o gomar, o mjerim, mallkim, mami nuk do vijë kurrë.
Moj gra, po helm a qumësht, u jepni këtyre gravrasësve? Mallkuar qumështi nënës, ty që vret mamin e një fëmije, që do të presë përjetësisht me sytë nga dera, mos ajo hyn një ditë./r.xh/dritare.net