Mallkimi i Erzenit/ U shkatërruan 45 shtëpi në Shijak. Banorët: Lumi na i mori të gjitha
Dritare.net
Zona më e prekur nga përmbytja, në Shijak , është lagja “Erzen” buzë lumit Erzen, ku janë përmbytur 45 shtëpi.
Pak metra poshtë urës së Shijakut, të gjithë banorët e shtëpive të përmbytura kanë dalë për të pastruar, rrugë dhe shtëpitë e tyre 3 ditë pas përmbytjes, që rezultoi katastrofike për ta, sepse iu shkatërroi gjithҫka, shtëpitë, orenditë, pajisjet elektrike. Lumi mori ҫfarë gjeti përpara, sepse banorët ishin të papërgatitur.
Hashim Somoqi, së bashku me bashkëshorten e tij po pastronin oborrin e tyre, dhe ai me lot në sy rrëfeu për dritare.net, se përmbytja ka shkaktuar një dëm të madh në shtëpinë e tyre.
“Jemi përmbytur 7 herë deri më tani. Këtë herë na janë prishur të gjitha pajisjet, soba elektrike, lavatriҫja na është prishur, bufeja, divanët dhe gjithҫka tjetër. Kisha tre rafte me rroba në katin e parë, të gjitha i mori uji”,-rrëfen Hashimi për dritare.net.
Teksa Hashimi po rrëfente dëmet në shtëpinë e tij, e zonja e shtëpisë ndërhyn duke thënë: “Ҫfarë më duhet mua se e rregullojnë Shijakun, të vijnë ta rregullojnë Erzenin që na mbyt herë pas here, pastaj ta rregullojnë Shijakun”.
Hashimi shprehet se shtëpitë e tyre janë ndërtuar vite më parë buzë Erzenit, por që asnjëherë tjetër deri para pak vitesh nuk janë përmbytur kurrë.
“Unë kam lind dhe jam rritur këtu, në kohën e Enver Hoxhës asnjëherë nuk jemi përmbytur, vetëm një herë në vitin 1947, por në atë kohë erdhën të gjithë nga Tirana dhe na ndihmuan, tani në demokraci mbytemi 2 herë në vit dhe as dëmshpërblimet nuk na japin të plot”,-vazhdon rrëfimin e tij Hashimi.
Në oborrin e shtëpisë, ҫifti i moshuar po pastronte ato pak pajisje që kanë shpëtuar nga përmbytja me shpresën që t’i vënë përsëri në punë.
Në rrugën e lagjes, gra, burra, pleq e fëmijë po hiqnin mbeturinat nga rruga që i ka sjellë Erzeni.
Në anën tjetër të rrugës ndodhet familja e Kastriot Muratit. Kati i parë i shtëpisë së tyre ka dalë jashtë ҫdo përdorimi, inertet e sjella nga Erzeni kanë mbushur oborrin e shtëpisë së tyre.
Kastrioti na rrëfen se uji i rrëmbyeshëm i mori me vete ҫfarë gjeti para, duke filluar me derrat, pulat e deri tek pompa e ujit dhe betronierja që kishin në oborr.
“Nuk e dimë ҫfarë të bëjmë, është e disata herë që përmbytemi dhe ne nuk dimë më ku të drejtohemi”,-shprehet Kastrioti për dritare.net.
Bashkia Kemi gati projektin për Erzenin
Dritare.net ka kontaktuar edhe me nënkryetaren e Bashkisë së Shijakut, Shpresa Domi e cila deklaroi se deri më tani situate në Shijak është e vështirë, por nën kontroll.
Nënkryetarja e Bashkisë deklaroi se në Bashkinë e Shijakut janë gjithsej, 45 shtëpi nën ujë, numri i personave të evakuuar është rreth 100 persona, 115 hektarë tokë janë nën unë. Gjithashtu nënkryetarja e Bashkisë ka treguar se janë ngritur 3 komisione që po merren me verefikimin e dëmeve në terren, dhe Bashkia në bashkëpunim me organet e tjera po punojnë intensivisht për normalizimin e situatës në këtë Bashki.
Shpresa Domi rrëfeu se Bashkia Shijak ka tanimë gati projektin për rehabilitimin e lumit Erzen, projekt ky që pas finalizmit të tij nuk do të sjelle më përmbytje në këtë Bashki.
Domi tregon se shumë nga shtëpitë e ndërtuar poshtë lumit Erzen janë pa lejet përkatëse, sepse sipas saj institucionet nuk mund të lëshojnë leje, sepse rrezikshmëria për përmbytjet është mjaft e madhe.
Sipas Domit, projekti ka ngelur tek financimi i tij nga pushteti qendrorë, dhe i gjithë projekti kap një shifër prej 1.5 deri në 2 miliard lekë. Deri në rehabilitimin e Erzenit këto banorë dhe shtëpi do të vazhdojnë të përmbyten vit pas viti dhe sa herë në vit t'i doje qejfi lumit. / dritare.net