Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Magjia Grabocka

Magjia Grabocka

Nga Rudina Xhunga

Grabocka: “Kur dëshiroj diçka fort, bind veten se do ta arrij dhe pasi kam harxhuar energjitë maksimale për këtë, ia përcjell të tjerëve bindjen time”. Këtë më tha Vera Grabocka më 22 janar 1995. Kanë kaluar 22 vjet qysh atëherë dhe Vera nuk ndryshoi kurrë stinë. Ajo magjeps kë i rri afër. Ajo është Circja që të kthen në njeri televiziv, edhe kur ti je thjesht një njeri. Vera është fati i kujt, ajo e do. Dhe gjithë neve që e duam.

Kjo intervistë që sjell dritare.net është marrë nga Rudina Xhunga dhe vjen e plotë si atëherë, kur u botua në gazetën Aleanca.

Si ndodh që keni një shtëpi kaq të bukur dhe gjithë kohës rrini jashtë?

Jashtë unë jam vetëm kur punoj. Pjesën më të madhe të kohës e kaloj këtu. Për mua shtëpia, ambienti familjar, detyrimet e  gruas dhe nënës janë të shenjta. Gjithmonë kam dashur të kem një shtëpi të bukur. Sapo u martuam me Timon jetonim në një hotel. Hotel “Çajupi”, që tashmë është prishur, qe banesa e shumë artistëve familjarë. Më kujtohet që atëherë më zinte gjumi duke parë 15-katëshin që ngrihej kat pas kati.

Si ndodhi që u martuat me një artist?

Sepse vetëm me një artist mund të martohesha. Kuptohemi, diskutojmë, kalojmë bashkë peripecitë, preokupimet, kujdesemi për vajzën. Jemi konsulentë të njëri-tjetrit.

Ç’shenjë jeni?

Dashi.

Kur ju vjen ndërmend fëmijëria, ju kujtohet një vajzë bukuroshe e llastuar, apo Vera e vogël që shokët e ngacmonin për syzet?

Bukuroshe nuk kam qenë kurrë. Katja, motra ime e madhe ishte e bukur. Ajo si kukull, e bardhë me sy të kaltër, unë me portret të errët e serioz.

Keni trashëguar komplekse nga fëmijëria?

Absolutisht, sepse çdo gjë që ëndërroja, e arrija.

Përfundimisht primadonë, Grabocka ka mundur të krijojë imazhin e artistes që arrin gjithë ç’dëshiron. S’e sheh kurrë ulur dhe të heshtur. S’e pi cigaren, gatuan me dashuri salcën e makaronave, gjithherë e rezervuar të tregojë për vete. Pakkush di ç’moshë ka, a është e vërtet historia e rrëmbimit gjatë 89-90 në Paris, a është aq e pasur sa ç’thuhet dhe hipnotizuese sa ç’e tregojnë.

Thonë që jeni magjistricë?

Unë nuk hipnotizoj, as gënjej, as përpiqem t’i bind të tjerët me përralla. Unë kur dëshiroj diçka fort, bind veten se duhet arritur dhe pasi kam harxhuar energjitë maksimale për këtë, ia transmetoj të tjerëve bindjen time.

Jeni supersticioze?

Pa diskutim. Kjo duket nga numrat që përdor në spektakle. Nuk i jam ndarë 12-ës. Jo sepse 12 thotë gjë, por 1 plus 2 bëjnë 3. 3-shi është numri im.

Logjika, apo intuita është më funksionale tek ju?

Logjika nuk më mungon, por jam tip intuitive. Nëse një natë më del gjumi dhe më shkon ndërmend se duhet ftuar në një spektakël një personazh i njohur, për shembull Klarku i Beautiful, nge telefonin dhe nuk gënjehem. Në linjë nga Los Anxhelosi është Klarku, që pabesueshmërisht pranon menjëherë të vijë në Shqipëri.

Cili është sistemi juaj i punës, pas momentit që vendosni me intuitë?

Unë jam gjithmonë në lëvizje. Nuk më pëlqejnë tavolinat, karriget dhe zyrat. Duket sikur jam e shpërqendruar, por ky shpërqendrim është me të vërtet përqendrim maksimal. Punët dua t’i bëj me vrap, shpejt. Ecja, plastika ime tregon që e urrej ngadalësinë. Dhe kur gatuaj, apo qëroj karotat, nxitoj. Çdo gjë e bëj shpejt, sepse mendoj shpejt. Truri im rend.

Mos keni frikë nga vdekja që rendni kaq shumë?

Gjithmonë vdekjen e kam pasur frikë.

Besoni se jeni shumë e talentuar?

Nuk them që jam e patalentuar, por ajo që kryesisht vlerësoj tek vetja është njohja e mentalitetit të popullit tim. Ky është dhe çelësi i suksesit.

Keni besim tek suksesi i përjetshëm?

Përkundrazi. Besoj se pas çdo suksesi fare thjeshtë mund të vijë një dështim, sepse fija që i ndan këto të dyja është aq e hollë dhe e padukshme. Çelësi i vërtet i suksesit pasues është t’i ruhesh fort dështimit duke harruar gjithë ç’ke bërë më parë. Pavarësisht nga eksperienca, çdo punë të re unë e nis si nxënëse.

Si i mundësoni paratë për spektaklet e luksit që organizoni?

Është si puna e dy grave që duan të përgatisin një darkë, kur njëra ka para dhe tjetra s’ka. Për të pasurën darka realizohet lehtë dhe del e mirë. E varfra me pak miell, pak vaj, një lugë gjalpë dhe shumë dashuri bën një darkë shumë më të mirë. Kështu edhe spektaklet tona. Për të bërë tortën ne përdorim pak para, por harxhojmë shumë shpirt dhe energji.

Megjithatë thonë që jeni shumë e pasur.

Patjetër, rrogën e kam 80 mijë lek të vjetra. Por besoj që do vijë shumë shpejt koha që do t’i bëj artistët e pasur, siç erdhi për afaristët dhe tregtarët. Artistët shqiptarë aq të sakrifikuar e meritojnë piedestalin.

Ajo flet për përmendore artistësh kolegësh, e megjithatë është aq egoiste e posesive me suksesin. Asnjë moment bosh; spektakle, koncerte, festivale, aq sa të tjerët, të rinj e të vjetër ankohen se nuk u le hapësirë.

Si ndodh që ngaherë ju hapni rrugë?

Askush s’të hap rrugë. Gjithçka kërkohet, merret. Para shumë vitesh, në redaksinë e programeve artistike në televizion, shefi lajmëron ardhjen e grupit të parë të këngëtarëve kosovarë në Shqipëri. Kush do e realizonte programin me ta? Midis të gjithë kolegëve të respektuar dhe më të vjetër se unë, dëgjohet zëri im: “Natyrisht që unë, sepse kjo është rubrika ime.” E realizova atë program dhe bukur. Që prej asaj dite shumë gjëra ndryshuan. Ndoshta pikërisht atëherë ndodhi ajo shkëputja, dallimi im nga të tjerët. Ato kohë kisha lindur Lindën dhe them se vajza më ka sjellë mbarësi.

Pra juve ju paska ndihmuar fati, ndërsa dukeni nga ata njerëz që fatin e marrin prej flokësh.

Të dyja. Kujtoj që nisja e karrierës si regjisore ka qenë ferr. Puna ime e parë ka qenë regjia televizive e Festivalit 11. Mihallaq Luarasi, profesori im, pati ato probleme që dihen, ndërsa unë munda të shpëtoj pas mbledhjesh, analizash, kritikash.

Shpesh ju thuhet vajzave të reja ambicioze: “Shko deri tek Vera dhe kthehu prapa”. Si thoni ju, duhet shkuar deri tek Vera?

Nuk di të jem njësi matëse, di që Vera ka gjithmonë punë, punë, prapë punë. Sapo mbaroj një spektakël s’kam kohë as të kënaqem, por nis tjetrin.

Kur në fund të një spektakli e pyet: “Çfarë ndien?” ajo të përgjigjet: “Boshllëk.” Atëherë të ngacmon ideja mos kësaj gruaje që punon me kohë e pa kohë, diçka e madhe i mungon, ndoshta lumturia…

Nuk jeni e lumtur?

Lumturi do të thotë të arrish gjithë ç’dëshiron. Unë jam tip i gëzuar, optimist. Nuk i shoh kurrë gjërat e zeza. Është si puna e gotës gjysmë plot e gjysmë bosh. Për mua gota është gjithmonë gjysmë plot.

Ç’është çlodhja për ju?

Çlodhja është gjumi. Dhe pas një lodhjeje të gjatë, një gjumë që zgjat vetëm pesë minuta, për mua është çlodhja rigjeneruese.

Ajo është nga personazhet më të intervistuara në Shqipëri. Opinionet për Vera Grabockën janë nga më të ndryshmet, trillimet nga më të paimagjinueshmet dhe ndjesitë që zgjon nga më të papërcaktuarat. Ani Zhirardo i dërgon një portret të sajin me dedikimin: “Më të fortës, më kokëfortës, dhe më të talentuarës që kam njohur. Skllavja jote Zhirardo.”

Nermin Vlora Falaski e prezanton atë si “bombën atomike të Shqipërisë”, ndërsa Carlo Bollino në revistën italiane “PIU”, shkruan: “…Regjisorja vullkanike e televizionit”.

DERI KUR MAGJIA GRABOCKA?/dritare.net

Copyright dritare.net/ Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë