Një ndër hobet e preferuara të Shqipërisë është të bësh opozitën e opozitës edhe për faktin se nuk ka kosto. E sotmja është akoma më e lehtë meqënëse përballë është Lulzim Basha, Është për këdo një praktikë pa kosto, aq më shumë që Basha ka afruar dorën e paqes për këdo, duke e qasur si hapje të partisë.
Nëse kjo është e vërtetë, do kohën e vet të diskutohet, por që lidershipi i tij ka probleme të mëdha besueshmërie, kjo është e prekshme më shumë se kudo në arrogancën e qeverisë. Dhe problemi i lidershipit të Bashës nis që nga fakti se ai nuk është lidership. Basha mund të jetë kryetar partie, udhëheqës koalicioni, por jo lider. Duhet të fillojë të provojëë të kundërtën. Madje është vonë, pasi kanë mbetur vetëm gjashtë muaj deri në zgjedhje, dhe kjo mungesë është një handikap i madh.
Basha ka një problem të madh i cili fillon me prezencën mbytëse të Sali Berishën, por ky nuk është më i madhi. Historikisht jo vetëm Basha me Berishën, por as Rama nuk do të mund ta kontrollonte PS nëse nuk do të pranonte Nano, apo ky i fundit nëse nuk do të donte Alia. E megjithatë, pavarësisht se nuk e ka në natyrë mbretvrasjen, të paktën Basha le ta nxjerrë në pension paraardhësin. Duke filluar që nga iniciativat politike që ndërmerr e deri tek lëvizjet taktike të grupit. Natyrisht që nuk presim t’i presë kokën Berishës, por askush nuk mund t’i ndalojë dorën t’i tregojë vendin Majlinda Begut apo Genc Rulit. Sepse po bëhen vite që jo vetëm Berisha, por edhe të tjerë nuk e përfillin. Madje arrihet deri në pikën që Bregu, megjithëse ka të njëjtën moshë politike me Bashën, i tregon këtij të fundit historinë politike të PD, kur i vetmi superioritet i saj krahasuar me të, është se jepte lajmet, kur PD ishte në opozitë.
Po ashtu letra e hapur e Rulit ndërkohë që PD ishte angazhuar për të arritur një qeveri teknike, ishte një minim i moralit të betejës, duke e kthyer të gjithën në flluskë sapuni, për mos thënë qesharake. Sepse një betejë nuk mbahet mend si zhvillohet, por si mbyllet. Edhe humbja mund të ketë lavdi, por jo imazhi i një udhëheqësi të squllët.
As Bregu dhe as Ruli nuk kanë ndonjë peshë politike në terren dhe kjo nuk ndryshon edhe nëse të dy bëjnë foto me ambasadorët dhe flirtojnë me kryeministrin. Por është një karshillëk i hapur i tyre ndaj Bashës i cili ja minon rëndshëm autoritetin. Ndaj nëse Basha do që të merret seriozisht, duhet të fillojë të tregojë kush ka komandën. Lideri i opozitës nuk mund të nëpërkëmbet nga deputetët e grupit të tij. Pasi të tregojë nja dy vjet se kush ka timonin, mund të fillojë të mendojë për hapjen e partisë. Pasi hapja fillon kur ka një zot shtëpia, ndryshe kthehet në han pa porta. Dhe kjo ka kostot e veta në kohë. Natyrisht që nisja e këtij operacioni me shumë gjasa do ta lerë PD edhe katër vjet të tjera në opozitë, por do japë shpresë vitin e tetë. Ndaj në 26 vjetorin e partisë që drejton duhet të ndash një herë e mirë mëndjen se çfarë do të bësh. O merre o lere.Vetëm një PD e fortë mund të jetë element i besueshëm edhe për LSI e cila gjithsesi vazhdon e mbetet parti e vogël psikologjikisht dhe numerikisht. Por është e nevojshme edhe për psikologjinë e elektoratit tonë i cili çmon liderët e fortë. Kësaj nuk ke çfarë t’i bësh, pasi lufta bëhet sipas terrenit dhe jo e kundërta. Në të kundërtën mallikimet të sharat, të tallurat nga ndjekësit apo kundërshtarët do t’i marrë prapë përsipër.
Basha duhet të mos harrojë se në politikë funksionon maksima popullore: “ma mirë t’më drojnë (frikësohen) se t’më dojnë”, e ardhur nga eksperienca se në politikë ose të tallin ose të frikësohen. Dashuria fillon pasi ke ikur, madje edhe nga kjo botë./dritare.net